Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale – Shkup” është gjobitur me 88 mijë euro nga Komuna e Aerodromit për moskryerjen e duhur të shërbimeve të pastrimit dhe mirëmbajtjes së hapësirave publike.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komunës, Dejan Miteski, përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai thekson se kjo masë nuk është politike, por institucionale dhe është ndërmarrë pas shumë paralajmërimeve dhe ankesa të qytetarëve për kontejnerë të tejmbushur, papastërti në rrugë dhe lagje, e gjithë kjo në kushtet kur banorët paguajnë rregullisht për shërbimet e higjienës.
“S’do të lejojmë që Aerodromi të bëhet peng i paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë. Qytetarët meritojnë një ambient të pastër dhe të rregullt”, ka deklaruar Miteski, duke paralajmëruar edhe masa të tjera ndaj çdo institucioni apo ndërmarrjeje që nuk i kryen detyrat ndaj komunitetit.
Ai i ka bërë thirrje autoriteteve kompetente të marrin masa të menjëhershme për përmirësimin e situatës.