Banorët e Batincës kanë shprehur falënderim publik për këshilltarin komunal Xhelal Ramushi dhe drejtorin e Drejtorisë së Librave Amë, Faton Fazliu, pas vendimit për hapjen e pikës së parë të shërbimit për dokumentet e gjendjes civile në fshat.
Në reagimin e tyre, të shpërndarë në rrjetet sociale, banorët theksojnë se bëhet fjalë për realizimin e një kërkese të kahershme, e cila do t’ua lehtësojë ndjeshëm qasjen në shërbimet administrative.
“Falë kontributit të këshilltarit tonë Xhelal Ramushi dhe drejtorit Faton Fazliu, për herë të parë hapet zyra e parë në fshatin Batincë.”

Pika e re e shërbimit do t’u mundësojë qytetarëve të pajisen në vend me certifikata të lindjes, martesës, vdekjes dhe dokumente të tjera të gjendjes civile, pa pasur nevojë të udhëtojnë jashtë fshatit.
Hapja e kësaj zyre konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt afrimit të shërbimeve administrative me qytetarët dhe përmbushjes së një nevoje të kahershme të banorëve të Batincës.

