Konkurrenca në prokurimet publike ka qenë e kufizuar dhe vazhdon të dominojë mbështetja në kriterin e çmimit më të ulët gjatë përzgjedhjes së ofertave. Përqindja e tenderëve me vetëm një ofertues në vitin 2025 ishte 33,9%. Kontrollet në prokurimet publike duhet të forcohen më tej. Këto dhe vërejtje të tjera janë përmendur në raportin e progresit në fushën e prokurimeve publike, raporton Portalb.mk.
Kuadri institucional dhe harmonizimi ligjor
Raporti thekson se kuadri ligjor i Maqedonisë së Veriut është kryesisht i harmonizuar me acquis-in e BE-së. Kuadri aktual për përjashtimin nga prokurimet publike, i bazuar në referencat negative për kompanitë për shkak të sjelljeve joprofesionale, vazhdon të jetë në fuqi. Megjithatë, ekzistojnë shqetësime lidhur me proporcionalitetin e tij dhe përputhshmërinë me direktivat e BE-së për prokurimin publik.
“Gjatë vitit 2025 janë lëshuar 74 referenca negative, prej të cilave 56 kanë skaduar, ndërsa 6 janë hequr. Në fund të vitit 2025, gjithsej 12 referenca negative mbetën aktive. Kontrollet në prokurimet publike duhet të forcohen më tej”, thuhet në raport.
Sistemet përkatëse të kontrollit dhe menaxhimit të rreziqeve fiskale thuhet se janë shumë të dobëta, ndërsa edhe kuadri ligjor për partneritet publiko-privat nuk është i harmonizuar me legjislacionin e BE-së
“Kuadri aktual ligjor për partneritetet publiko-private (PPP) nuk është i harmonizuar me acquis-in e BE-së, ndërsa sistemet përkatëse të kontrollit dhe menaxhimit të rreziqeve fiskale mbeten shumë të dobëta. Miratimi i ligjit për PPP-në vazhdon të përballet me vonesa. Gjatë vitit 2025, në regjistrin e kontratave të dhëna është evidentuar vetëm një marrëveshje e re për partneritet publiko-privat. Duhet të krijohet një regjistër gjithëpërfshirës për PPP-të dhe koncesionet”, thuhet në raport.
Kapacitetet për zbatimin dhe respektimin e ligjit
Në vitin 2025, tregu i prokurimeve publike përbënte 9,3% të bruto produktit vendor (BPV) të vendit, krahasuar me 8,8% në vitin 2024.Konkurrenca në prokurimet publike ka qenë e kufizuar dhe vazhdon të dominojë mbështetja në kriterin e çmimit më të ulët gjatë përzgjedhjes së ofertave, thotë KE.
“Përqindja e tenderëve me vetëm një ofertues në vitin 2025 ishte 33,9%”, thuhet në raport.
Përdorimi i procedurave të negociuara ra më tej, duke arritur në vetëm 0,5% të kontratave në vitin 2025, ndërsa anulimi i kontratave u rrit në 28,7%.Gjatë vitit 2025, përmes tregut elektronik për prokurime me vlerë të ulët u lidhën 647 kontrata, krahasuar me 325 në vitin 2024.
“Përdorimi i ankandeve elektronike ra në 22% të njoftimeve të publikuara për kontrata, dukshëm nën objektivin prej 40% të dakorduar në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje. Përdorimi i kriterit të ofertës ekonomikisht më të favorshme (MEAT) mbeti i kufizuar dhe u aplikua vetëm në 6% të kontratave të prokurimit, krahasuar me 5,4% në vitin 2024. Për sa i përket vlerës financiare, vetëm 4,8% e kontratave përdorën kriteret MEAT”, thekson raporti.
Sistemi elektronik i prokurimeve publike funksionon në mënyrë efikase dhe mbulon të gjitha transaksionet.
“Megjithatë, kapacitetet për menaxhimin e proceseve të prokurimit publik duhet të forcohen më tej, veçanërisht në nivel lokal”, thuhet në raport.
Strategjia për prokurimet publike përfshin masa për luftimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, sisteme për menaxhimin e rreziqeve, si dhe raportimin e praktikave të mundshme korruptive ose parregullsive. Megjithatë, kuadri në këtë fushë duhet të forcohet. Byroja e Prokurimeve Publike (BPP) publikon rregullisht raporte për treguesit paralajmërues të rrezikut (red flags), por masat pasuese ndaj këtyre gjetjeve mbeten të pamjaftueshme.
Sistemi efikas i mjeteve juridike
Legjislacioni për sistemin e mjeteve juridike është kryesisht i harmonizuar me acquis-in e BE-së.
“Në vitin 2025, Komisioni Shtetëror i Ankesave (KSHA) pranoi 1.535 ankesa, nga të cilat zgjidhi 1.405 raste. Gjithsej 119 ankesa kundër vendimeve të KSHA-së u parashtruan në Gjykatën Administrative. KSHA-së i nevojitet personel shtesë i kualifikuar, në mënyrë që të mund t’i shqyrtojë ankesat brenda afateve kohore”, thuhet në raport.
Kujtojmë se hulumtimi i Qendrës për Komunikime Qytetare (QKQ) për prokurimet publike të punëve ndërtimore në periudhën 2021–2025 zbuloi se vlera e kontratave të lidhura për prokurime publike të punëve ndërtimore në pesë vitet e fundit arrin në 1,5 miliard euro. Gjatë kësaj periudhe janë lidhur 9.335 kontrata dhe janë bërë 2.500 ndryshime të tyre. Edhe pse vlera e kontratave për punë ndërtimore është rritur ndër vite, konkurrenca në tenderë është zvogëluar, nga pesë oferta për tender në vitin 2021 në tri oferta për tender në vitin 2025. Vlera e kontratave të dhëna në tenderë pa konkurrencë është rritur tre herë e gjysmë, nga 38 milionë euro në vitin 2021 në 141 milionë euro në vitin 2025.

