VLEN zbulon funksionimin e trinomit Arsovska-BDI-Levica: “Higjiena Komunale” i paguan 12 mijë euro djalit 17 vjeçar të Blerim Bexhetit

5 Min. Leximi

Nga koalicioni VLEN kanë vazhduar të ofrojnë dëshmi për koalicionin Danella Arsovska-BDI-Levica. Sipas VLEN-it, Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” ka nënshkruar kontratë me djalin 18-vjeçar të Blerim Bexhetit, imagjinoni, për të dhënë këshilla për mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Ja dhe komunikata e plotë:
Ja kontrata. Shiheni vetë Kontratën nr. 57254, të lidhur më 25.02.2025 mes NP “Higjiena Komunale – Shkup” dhe kompanisë “Veda DOOEL”.
Është e qartë se paratë i merr Valon Bexheti, djali i Blerim Bexhetit, i cili është edhe vetë i nënshkruar.
Lënda – “shërbime intelektuale – dhënie të këshillave për mbrojtjen e mjedisit jetësor”, pa rezultate të qarta të definuara. Kujtoj se personi të cilit NP Higjiena Komunale i paguan gati 12.000 euro për këshilla është një fëmijë 18-vjeçar.
Ja, shikoni këtë nen të kontratës: 775.000 denarë për këshilla për mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Me një firmë të vetme, paratë e shkupjanëve përfundojnë në xhirollogarinë e familjes Bexheti, ndërsa Shkupi fundoset në mbeturina dhe papastërti.
Sigurisht, ky drejtor është caktuar nga shoqja e Blerim Bexhetit, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
Sigurisht, ky është koalicioni i BDI-së, i Levicës dhe i Dimitar Apasievit, nga i cili përfitojnë personalisht ata, ndërsa humbin qytetarët e Shkupit.
E njëjta ndërmarrje publike menjëherë lëshon faturën nr. 73818 për të njëjtën shumë prej 775.000 denarësh për “shërbime të realizuara”. Fatura është e nënshkruar nga e njëjta kompani ndërmjetëse, pa asnjë dëshmi se shërbimi është filluar, e lëre më të jetë përfunduar.
Receta përsëritet – përfituesi i dytë, një i afërm i drejtorit të NP Higjiena Komunale, Sabahudin Rustemi.
Shikoni faturën nr. 73819, e cila mban një emër të ri: Besar Saqipi, i afërm i ushtruesit të detyrës së drejtorit të ndërmarrjes, Sabahudin Rustemi.
Përshkrimi është thuajse copy-paste: “zbatim i teknikave të reja për mbrojtjen e mjedisit jetësor”.
Sërish kontratë për 775.000 denarë.
E njëjta ditë, e njëjta shumë, e njëjta skemë, këtë herë për të afërmin e njeriut që kontrollon arkën. Brenda një dite, nga 12.000 euro për djalin e Blerimit dhe për të afërmin e drejtorit të caktuar nga Blerimi.
Dëmi i shkaktuar është 1.550.000 denarë – aq sa është buxheti vjetor për kontejnerë të rinj në disa lagje të Shkupit.
Prandaj kërkojmë nga institucionet:
Nga Prokuroria Publike – të hapë menjëherë procedurë për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe pastrim parash;
Nga Komisioni për Parandalim të Korrupsionit – të hapë rast për konflikt interesi dhe nepotizëm;
Nga MPB – Njësia për krim ekonomik – të nisë hetim financiar për të gjitha pagesat ndaj “Veda DOOEL” dhe personave të lidhur me Blerim Bexhetin, Danella Arsovskën dhe Dimitar Apasievin;
Nga Qyteti i Shkupit – të ndërpresë kontratën dhe të kërkojë kthimin e mjeteve, të shkarkojë drejtorin e Blerim Bexhetit dhe të thërrasë mbledhje të Këshillit për t’i informuar qytetarët për këtë skandal nepotizmi dhe korrupsioni.
Zonjë kryetare Danella Arsovska, ju vetë i keni caktuar këta drejtorë, për të cilët e dinit se janë të afërt me mikun tuaj Blerim Bexheti. Sot keni dy zgjedhje:
T’i shkarkoni dhe të mbështesni hetimin, ose
Të mbeteni bashkëpjesëmarrëse në vjedhjen nga xhepi i shkupjanëve.
VLEN do të vazhdojë të zbulojë këtë koalicion të korrupsionit dhe urrejtjes. Nga sot, çdo ditë do të publikojmë dokument të ri për ndërtimet pa leje, faturat fiktive dhe punësimet partiake që ushqejnë këtë strukturë.
Ndërkohë që Danella, BDI dhe Levica ndajnë tenderë, qytetarët paguajnë dyfish: me xhepin dhe me shëndetin e tyre. Kjo konferencë për shtyp është hapi i parë drejt drejtësisë. Hapi tjetër është i institucioneve. Ne nuk do të ndalemi derisa kjo skemë të përfundojë në bankën e të akuzuarve.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull