Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka reaguar fuqishëm pas zhvillimeve të fundit në skenën politike shqiptare, duke dërguar një mesazh të qartë kundër atyre që, sipas tij, tentuan të përçajnë koalicionin opozitar VLEN përmes interesave personale dhe lidhjeve klienteliste.
Në një status të publikuar sot, Mexhiti thekson se përçarja e VLEN-it nuk ishte e natyrshme, por e nxitur nga “oportunizmi i individëve dhe politikanëve të të shkuarës që i frikësohen ndryshimit”. Ai shpreh bindjen se ky proces ishte i sponsorizuar nga interesa financiare dhe rrjete të nëntokës, por thekson me vendosmëri se “ne i rezistuam këtij sulmi” dhe se goditjet janë hedhur poshtë me qëndrueshmëri e bindje.

“E megjithatë, skenari për ta përçarë dhe shkatërruar VLEN dështoi”, deklaron Mexhiti, duke shtuar se Aleanca për Shqiptarët do të dalë më e fuqishme nga kjo situatë, ndërsa fryma e VLEN-it do të vazhdojë të triumfojë mbi të vjetrën dhe të harxhuarën.
Duke u bërë thirrje qytetarëve që besojnë në ndryshim, ai i fton të bashkohen me koalicionin, duke theksuar se “të besosh në parime dhe të luftosh për t’i mbrojtur ato – PO – IA VLEN!”