Mungesa e pagave dhe mos respektimi i Marrëveshjes Kolektive ka detyruar të dalin në protesta qindra punonjës të Kulturës. Sipas Sindikatës në Kulturë kjo është çmenduri që tashmë është bërë e zakonshme në muajt mars dhe prill. Të revoltuar, punonjësit e Kulturës kërkuan kushte më të mira për punë dhe çdo institucion të lirohet nga presionet dhe kontrollet politike.
“Kërkojmë të respektohen Marrëveshjet Kolektive dhe ligjet. Kërkojmë udhëheqje transparente dhe profesionale me institucionet kulturore të liruar nga kontrollet partiake. Kërkojmë t’i jepet fund poshtërimit, Kultura nuk do të heshtë, kultura nuk do të ketë frikë. ne jemi kultura. Ne jemi zëri që nuk mund ta heshtni”, tha Vera Atanasovska, kryetare e Sindikatës së Kulturës.
“Prej vitesh institucionet tona janë lënë në prag të ekzistencës me një infrastrukturë që po shkatërrohet para syve tanë, staf që punon me detyra të zgjatura pune për shkak të mungesës së të punësuarve të rinj, artistë që punësohen dhe dalin në pension pa ngritje në detyrë”, u shpreh Elmir Sejfullai, aktor.
Nga Lidhja e Sindikatave thanë se mbështesin pa rezervë protestën e punonjësve në Kulturë duke u bërë thirrje që në 1 maj t’i bashkohen protestës së LSM-së.
“Kishim 300 veta që erdhën në protestë para tre javësh, u trembën. Sot jemi 3000, ata janë edhe më shumë të frikësuar dhe u thamë se do të vijnë 30 mijë veta. Na numërojnë në vend që të na paguajnë rrogat. I nderuar ministër, njerëzit presin që rrogat t’u jepen sot në përputhje me marrëveshjen kolektive, nëse jo, ashtu siç i thamë ministrit të mëparshëm po ju themi dhe juve, nëse ju nuk e bëni do e bëj ministri i ardhshëm”, theksoi Sllobodan Trendafillov, LSM.
Më 18 prill, Ministria e Kulturës dhe Turizmit njoftoi se punonjësit e kulturës do të marrin pagat pas festave të Pashkëve. Sipas Kulturës, vonesa është bërë për shkak të harmonizimit të përllogaritjeve të pagave me Ministrinë e Financave. Sipas Kontratës së Përgjithshme Kolektive dhe Kontratës Kolektive në fushën e kulturës, punonjësit duhet të marrin pagën brenda datës 10 ose 15 të muajit. Përveç punonjësve në kulturë, pa pagesë kanë mbetur edhe një numër i madh punonjësish në sektorin publik dhe privat. /Alsat.mk