Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bashkë me Ministrin e Sportit Borko Ristovski, zëvendësministren Safije Sadiki Shaini dhe deputeten Kaltrina Beqiri, kanë promovuar sot projektin më të ri të terreneve sportive pranë shkollës së mesme medicinale në qytet. Këto investime janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë mes pushtetit qendror dhe lokal.
Drejtoresha e shkollës, Malsore Ramadani, priti zyrtarët në ambientet e reja të ndërtuara, të cilat përfshijnë fushën e futbollit me bar sintetik, fushën e volejbollit me standarde moderne, fushën e basketbollit me propilen sipas rregullave ndërkombëtare dhe tribuna për 300 pjesëmarrës. Projekti është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve në shkolla dhe nxitjen e aktiviteteve sportive për të rinjtë.
“Kjo është vetëm një nga investimet që tregojnë qartë përkushtimin tonë për të ndërtuar një Tetovë moderne, të shëndetshme dhe aktive,” u shpreh kryetari Kasami, duke shtuar se projektet në arsim dhe sport do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Kryetari falënderoi bashkëpunimin me institucionet qendrore dhe shprehu vendosmërinë për të mos ndalur zhvillimin e Tetovës në çdo segment të jetës publike.