Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se është marrë vendim për rritjen e kapitacionit për mjekët amë të mjekësisë së përgjithshme dhe gjinekologjisë nga 75 në 100 denarë, ndërsa për stomatologji nga 61 në 75 denarë, transmeton Portalb.mk.
“Sot është Dita Botërore e Shëndetit dhe me kënaqësi dua të ndaj me ju një lajm të mirë për forcimin e shtyllës së kujdesit shëndetësor – për forcimin e kujdesit shëndetësor parësor në sistemin shëndetësor maqedonas. Miratuam vendim për një rritje historike të kapitacionit për mjekët amë të mjekësisë së përgjithshme, gjinekologjisë dhe stomatologjisë, duke filluar nga prilli i vitit 2025. Rritja e kapitatit për mjekët amë do të thotë paga më të larta dhe mjekë më të motivuar”, tha Mickoski.
Sipas këtij vendimi, vlera e kapitacionit për mjekësinë e përgjithshme dhe gjinekologjinë do të rritet nga 75 në 100 denarë, ndërsa për stomatologjinë nga 61 në 75 denarë, që përfaqëson një rritje prej 33%, përkatësisht 23%. Kjo rritje vjen pas një stagnimi shumëvjeçar gjatë periudhës 2019–2022, kur ishte 63 denarë dhe 48 denarë.
“Nëse shikojmë në të kaluarën, nga viti 2015 deri më sot, kapitatacioni për mjekësinë e përgjithshme është rritur nga 50 në 100 denarë – një dyfishim i vlerës për një dekadë. Edhe për gjinekologjinë kemi një rritje nga 50 në 100 denarë, ndërsa për stomatologjinë nga 35 në 75 denarë, që përfaqëson një rritje prej 114%”, tha Mickoski.
Kryeministri shtoi se shteti ndan rreth 4.5 miliardë për mjekët amë, gjinekologët dhe stomatologët, ndërsa për këtë rritje do të ndahen rreth 550 milionë denarë ose mbi 9 milionë euro.
Kujtojmë se përfaqësuesit e mjekëve ranë dakord në një takim me Fondin në dhjetor, për rritjen e pikëve të kapitacionit, heqjen e disa masave ndëshkimore dhe dekurajuese, program të ri parandalues, i cili do të përfshijë parandalimin e formave më të zakonshme të kancerit në vend, si dhe u ra dakord që mjekët amë në zonat rurale të mos duhet të mbyllin ordinancën e tyre nëse brenda 60 ditëve nuk kanë gjetur një infermiere, siç e kërkon ligji tani. Atyre iu dhanë 24 muaj për të hartuar një plan dhe për të punësuar infermiere.