Prizren
Në qytetin e Prizrenit është organizuar një program iftari me rastin e 18 Marsit – Ditës së Përkujtimit të Dëshmorëve dhe 108-vjetorit të Fitores së Çanakalasë, raporton Anadolu.


Në programin e organizuar nga Ambasada e Türkiyes në Prishtinë, Konsullata e Përgjithshme në Prizren dhe Fondacioni Fetar Turk (TDV) në një hotel në Prizren, morën pjesë ambasadori i Türkiyes në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) njëherësh ministër i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, drejtori i përgjithshëm i Çështjeve Fetare në Kryesinë e Çështjeve Fetare të Türkiyes (Diyanet), Şaban Kondi, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i TDV-së, Fatih Kayacan, dhe të ftuar të shumtë.
Në fjalën e tij të rastit, ambasadori Angılı tha se Beteja e Çanakalasë solli në skenën e historisë heronjtë që themeluan Republikën e pavarur të Türkiyes.
“Në mesin e atyre dëshmorëve që do të futen në histori, ka pasur heronj jo vetëm nga kufijtë e sotëm të Republikës së Türkiyes, por edhe nga Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, me pak fjalë, nga çdo cep i Ballkanit. Unë i kujtoj secilin prej tyre me mirënjohje dhe mëshirë”, tha ambasadori.
Ministri Damka, para të pranishmëve në fjalën e tij, tha se fitorja në Çanakala u arrit si rezultat i një lufte të paprecedentë në tokë dhe në det.
“Kemi afro 12 mijë dëshmorë vetëm nga Kosova, dëshmorë nga vendet e tjera të Ballkanit dhe vende të ndryshme të botës, krah për krahë, që nuk njiheshin, flisnin në gjuhë të ndryshme, por vdiqën për një qëllim të vetëm. Zoti i mëshiroftë”, tha ai.
Drejtori i përgjithshëm i Çështjeve Fetare, Kondi, theksoi se si Kryesi e Çështjeve Fetare përcaktuan mirësinë si temë të këtij Ramazani.
“Një nga vendet më të rëndësishme ku u mbollën farat e mirësisë në tokë është Çanakalaja. Çanakalaja është një vend ku një komb që donte të shkatërrohej nga armiqtë, u rezistoi të gjitha forcave të së keqes me besim dhe triumfoi”, tha ai.
Një fjalim mbajti edhe këshilltari për shërbime fetare i Ambasadës së Türkiyes në Prishtinë, Bünyamin Albayrak, i cili theksoi se Kosova ka një vend të veçantë në Çanakala, derisa përmendi edhe disa prej punëve që kanë bërë në Kosovë ndër vite.
Në program u lexuan pjesë nga Kurani Famëlartë dhe u bënë lutje për dëshmorët dhe veteranët e rënë në betejë.
Nga ana tjetër, në kuadër të aktiviteteve përkujtimore, është mbajtur një ceremoni në kazermën “Sulltan Murat” në Prizren, ku ndodhet KFOR-i Turk.
Gjithashtu, u vendos një kurorë lulesh në monumentin e dëshmorëve të Çanakalasë në Komunën e Mamushës, komuna e vetme turke në Kosovë.
Po kështu, në Prizren u mbajt edhe shfaqja teatrore “Dita e Përkujtimit të Dëshmorëve dhe Fitores së Çanakalasë” nga teatri “Art Theatre”.