Pas reagimit të BDI-së, LSDM kërkon që lideri i partisë Ali Ahmeti të largohet përfundimisht nga filmi nacionalist. Sipas opozitws maqedonase, retorika e Ahmetit për nxitjen e vazhdueshme të tensioneve etnike si mjet për veprim politik është e papranueshme dhe e rrezikshme për vendin.
“LSDM i konsideron të papranueshme provokimet e qëllimshme etnike të BDI-së, të cilat janë shndërruar në strategjinë e vetme të partisë. BDI nuk duhet të harrojë se shqiptarët në këtë vend duan paqe, stabilitet dhe marrëdhënie të mira ndëretnike. Kur BDI e akuzon LSDM-në për albanofobinë, nuk duhet harruar se në Bordin Ekzekutiv të LSDM-së ka shqiptarë dhe një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve votojnë për partinë tonë”, thonë nga LSDM-ja.
Ata theksojnë se me veprimet e tyre “Ahmeti dhe BDI po i mundësojnë VMRO-DPMNE-së që edhe më tutje ta ndezë situatën ndëretnike në vend dhe të përfitojë politikisht”.
“Indirekt BDI është ajo që po krijon albanofobinë me sjelljen e saj”, konsideron LSDM.
Paraprakisht BDI-ja përmes një komunikate kishte akuzuar LSDM-në se po përdor politikat e VMRO-DPMNE-së për të mbijetuar në skenën politike. Partia thotë se LSDM-ja “në vend që të përballet me krizën e saj dhe të marrë përgjegjësinë për dështimin e tyre, ajo kërkon shpëtimin duke i ushqyer maqedonasit me armikun e rremë: shqiptarët”.
Në realitet, shton BDI, shqiptarët nuk ishin dhe nuk janë kërcënim ekzistencial për maqedonasit.
“Kërcënimi i tyre i vërtetë janë ata që mohojnë kishën e tyre, gjuhën e tyre, identitetin e tyre. Ata që duan ta mbajnë Maqedoninë e Veriut të dobët, të izoluar dhe të ndarë janë ata që injektojnë këtë psikologji frike. Albanofobia nuk është ndjenjë spontane e maqedonasve – është një projekt politik, i inkurajuar dhe i financuar nga interesa të huaja për ta mbajtur Maqedoninë e Veriut peng i konflikteve dhe pasigurisë”, tha ndër të tjera partia e Ali Ahmetit.