Nën udhëheqjen e drejtorit të ShA. MEPSO, Burim Latifi, kompania ka arritur një kthesë të rëndësishme financiare, duke kaluar nga një rezultat negativ prej -2 milionë euro në tremujorin e dytë, në një rezultat pozitiv prej 3 milionë euro në tremujorin e tretë të vitit.
Latifi thekson se ky sukses buron nga masat strategjike, përfshirë rritjen e transmetimit të energjisë elektrike, të ardhurave nga kapacitetet ndërkufitare dhe reduktimin e kostove joproduktive. “Fokusi ynë është zhvillimi i rrjetit të transmetimit dhe përmirësimi i shërbimeve për qytetarët,” tha Latifi.
Projekte madhore për vitin 2025
MEPSO paralajmëron një seri investimesh, përfshirë:
• Modernizimin e ndërtesave komanduese dhe stacioneve të transformatorëve.
• Ndërtimin e stacionit të transformatorit 400/110 kV në Ohër.
• Rikonstruimin e linjave të largpërçuesve dhe përforcimin e korridoreve energjetike në rajonet kryesore.
• Realizimin e qendrës së re të dispeçimit dhe forcimin e sigurisë kibernetike me mbështetjen e BERZH dhe USAID.
Tranzicioni i gjelbër dhe integrimi rajonal
Latifi theksoi angazhimin e MEPSO për një të ardhme të qëndrueshme energjetike, përmes projekteve të digjitalizimit, zhvillimit të interkoneksioneve dhe integrimit të tregut rajonal të energjisë, duke përfshirë lidhjet me Shqipërinë, Kosovën dhe Greqinë.
Drejtori Burim Latifi garanton se ShA. MEPSO, me mbështetjen e Qeverisë së RMV-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, do të vazhdojë të luajë një rol kyç në sigurimin dhe modernizimin e sistemit energjetik të vendit.