Kryeministri Hristijan Mickoski, ka deklaruar sot se strategjia e Ali Ahmetit dhe BDI-së, është që të tentojnë ta defokusojnë opinionin pasi kanë ardhur, sipas tij, konfirmime nga e gjithë bota për veprimtarin kriminale të tyre.
Mickoski tha se ata tentojnë ta polarizojnë shoqërinë në baza etnike, ndërsa shtoi se ata këtë nuk do ta lejojnë.
“Po arrijnë konfirmimet për veprimet kriminale të kësaj strukture politike dhe garniture në 20 vitet e kaluara, shumë raste po punohen lidhur me ish funksionarë të lartë të BDI-së, dhe opinioni shumë shpejtë do të sheh se cili në fakt është motivi i vërtetë i udhëheqësisë aktuale të BDI-së, se më së paku brengosen për atë që është dashur të brengosen, më tepër janë brengosur si ta mbrojnë atë kapitalin për të cilin ekziston dyshimi se është fituar në mënyrë kriminale”, deklaroi Mickoski, raporton SHENJA.
Mickoski sa i përket zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, tha se në vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje lokale, dhe nëse në ato zgjedhje lokale humbin partitë në qeveri atëherë e logjikshme do të ishte që më pas të ketë zgjedhje parlamentare, por nëse, ata shënojnë fitore, atëherë, tha ai, është mirë që partitë opozitare t’i përkushtohen vetes dhe reformimit të tyre.