Kombet e Bashkuara (OKB) kanë bërë të ditur se numri i fëmijëve të pranuar për trajtim në Gaza është rritur në 4 mijë në muaj që nga korriku, transmeton Anadolu.
Duke cituar Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric tha se OCHA raporton se sfidat e rënda të qasjes vazhdojnë të pengojnë partnerët të kontrollojnë rregullisht mjaftueshëm për të zbuluar rastet e kequshqyerjes që kërkojnë trajtim.
“Deri më tani në tremujorin e katërt të vitit 2024, ata kanë përfunduar pak më shumë se 151 mijë ekzaminime të tilla, nga 346 mijë fëmijë nën 5-vjeç në Gaza. Që nga korriku, numri i fëmijëve të pranuar për trajtim është rritur në më shumë se 4 mijë në muaj”, tha Dujarric.
“Hyrja e menjëhershme e më shumë furnizimeve ushqimore në Gaza është thelbësore për të adresuar krizën e thelluar të urisë në të gjithë Rripin”, theksoi ai.
I pyetur lidhur me një raport të ‘New York Times’ në të cilin disa nga zyrtarët e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) u akuzuan si anëtarë të Hamasit, Dujarric tha se OKB-ja ka kontaktuar median në lidhje me raportin.
“Mendoj se ajo që është interesante është se ato raporte janë ndarë nga aparati izraelit i sigurisë me ‘New York Times’, në kundërshtim me UNRWA-në, e cila sa herë që ata kanë marrë informacion kanë ndërmarrë veprime. Ne jemi të përkushtuar të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar neutralitetin e vazhdueshëm të UNRWA-së në operacionet dhe stafin e saj”, tha ai.