Protesta e organizuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) para Gjykatës Kushtetuese, e cila u promovua si një iniciativë për mbrojtjen e gjuhës shqipe, po reflekton një krizë të thellë brenda partisë. Në këtë ngjarje, jo vetëm që mungoi mbështetja qytetare, por ajo që ra më shumë në sy ishte mungesa e figurave kryesore të vetë BDI-së.
Në protestë nuk u panë emra të rëndësishëm si Artan Grubi, ish zv.kryeministër, Talat Xhaferi, ish kryetar i Kuvendit, Bujar Osmani, ish ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi, ish ministër i Financave, dhe Ismail Jahoski, ish kryetar i Komunës së Plasnicës dhe deputet aktual. Ky distancim i hapur nga një pjesë e elitës politike të BDI-së e ka bërë të qartë se loja politike që po ndjek udhëheqja aktuale nuk po gjen mbështetje as brenda radhëve të saj.
Mungesa e këtyre figurave të njohura ka thelluar perceptimin se BDI po mbetet gjithnjë e më e vetmuar, duke mos arritur të konsolidojë as bazën e saj politike, e lëre më të sigurojë mbështetje më të gjerë shoqërore. Kjo situatë po interpretohet si një pasqyrë e përçarjeve të brendshme në parti dhe e pakënaqësisë që ekziston midis figurave të saj më të spikatura.
Për shumëkënd, protesta e fundit para Gjykatës Kushtetuese është një përpjekje e dëshpëruar për të tërhequr vëmendjen dhe për të ruajtur relevancën politike, por mungesa e përkrahjes nga qytetarët dhe izolimi nga vetë lidershipi i saj dëshmojnë për një krizë serioze.
A do të jetë ky fundi i një epoke për BDI-në, apo udhëheqja e partisë do të arrijë të dalë nga ky izolim? Mbetet për t’u parë.