Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se forcimi i Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës e detyron Serbinë të mos i përsërisë krimet që i ka bërë në të kaluarën në këto dy shtete.
Kurti të premten vizitoi Bosnjën, ndërsa mbajti fjalim në një mbledhje të organizuar nga shoqata e intelektualëve “Krug 99” në Bashkinë e Sarajevës.
Në pjesën hyrëse të fjalimit, Kurti vuri në dukje se Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili ishte menduar të mbahej në Neum, u anulua, “por nuk mund të anulohej vizita ime në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës”. Ai foli në gjuhën boshnjake dhe e filloi fjalimin duke cituar Alija Izetbegoviqin, presidentin e parë të Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, transmeton Klix.
“Sarajeva është më pak se gjashtë orë larg Prishtinës, por për të ardhur, unë dhe delegacioni im duhej të kalonim barrierën e kufizimeve të vizave. Unë sjell përshëndetje nga qytetarët e Kosovës, të cilët e shohin Bosnjën si mik. Ne ndajmë historinë e njëjtë dhe kemi një të ardhme të përbashkët evropiane, prandaj zbatuam në mënyrë të njëanshme marrëveshjen për lirinë e lëvizjes bazuar në letërnjoftime dhe atë që arritëm përmes Procesit të Berlinit”, ka thënë Kurti.