Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka reaguar ndaj paralajmërimeve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për pasoja dhe destabilizim të vendit, duke i cilësuar si përpjekje për shmangie nga përgjegjësia. Në një deklaratë të drejtpërdrejtë, Mexhiti fajësoi BDI-në për zgjidhjet gjysmake që, sipas tij, kanë çuar në situatën aktuale lidhur me Ligjin e Gjuhëve.
“Tash është koha e përgjegjësive, dhe para përgjegjësisë atyre ju duhet mjegull, ju duhet destabilizim. Por nëse dikush në këtë shtet nuk ka të drejtë të ankohet për këtë çështje, ajo është pikërisht BDI,” deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi se, po të ishte miratuar një Ligj për gjuhët shqipe që i përgjigjet plotësisht nevojave të komunitetit shqiptar, çështja nuk do të ishte temë diskutimi sot. “Nëse kjo çështje do të absolvohej ashtu siç duhet, të kishte një Ligj për gjuhët shqipe ashtu siç duhet, sot nuk do të ishte temë diskutimi,” shtoi ai.
Kjo deklaratë nënvizon një përplasje të re mes liderëve politikë në vend, në një kohë kur stabiliteti dhe harmonizimi ndëretnik mbeten prioritete kyçe për Maqedoninë e Veriut.