Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti është duke qëndruar në Baku të Azerbejxhanit kur do të marrë pjesë në Konferencën e 29-të të Palëve për Ndryshimet Klimatike (COP29).
Në kuadër të saj, Mexhiti sot ka marrë pjesë në një event të organizuar nga UNDP për të prezantuar qëndrimet e Maqedonisë së Veriut që do të paraqiten në samitin për klimën.
Ai ka bërë të ditur se ka prezantuar të arriturat tona deri më tani në kornizën strategjike dhe legjislative në fushën e klimës, të propozuara nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe të miratuara nga Qeveria: 4 komunikime kombëtare, 3 raporte dyvjeçare për ndryshimet klimatike, 2 kontribute kombëtare në Marrëveshjen e Parisit, si dhe një Strategji dhe Plan Veprimi Afatgjatë për Veprimin për Klimën dhe Planin e Integruar të Energjisë dhe Klimës.
“Vizioni ynë afatgjatë është që deri në vitin 2050 të jemi një ekonomi e begatë me emetime të ulëta të karbonit, që ndjek një rrugë zhvillimi të qëndrueshme dhe stabile ndaj ndryshimeve klimatike, që përmirëson konkurrencën dhe promovon kohezionin social përmes veprimeve për të luftuar ndryshimet klimatike dhe ndikimet e tyre”, ka deklaruar mes tjerash Mexhiti.