Ekipi i ri menaxhues i Sh.A. MEPSO është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të konstatuar të gjitha parregullsitë e mundshme në punën e menaxhmentit të mëparshëm, njoftoi sot kompania.
“Sa i përket mënyrës së dhurimit të mjeteve nga buxheti i Sh.A. MEPSO, kemi konstatuar një situatë ku janë shpërndarë pa kritere përkatëse.
Kështu, menaxhmenti i mëparshëm i kompanisë në muajt e fundit të pozitës “arriti” ta tejkalojë programin financiar për këtë vit për këtë qëllim për rreth 10 milionë denarë.
Kjo është një nga arsyet e shumta pse ne kërkuam një auditim gjithëpërfshirës. Publiku ka të drejtë të dijë se si janë shpenzuar mjetet nga të gjitha programet buxhetore, por apelojmë për durim derisa të veprojnë institucionet kompetente, thonë nga MEPSO.
Ju sigurojmë, shtojnë nga atje, se menaxhmenti i ri do të praktikojë transparencë dhe llogaridhënie në të gjitha segmentet e funksionimit të Sh.A. MEPSO.