Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shpallur dje 9 shkurtin, si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare, që do të jenë të parat që nga shpallja e pavarësisë. Data e caktuar nuk është as propozimi i opozitës, e as partisë në pushtet.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e cilësoi këtë si “shtyrje të panevojshme”. PDK dhe dy partitë tjera opozitare kishin kërkuar që zgjedhjet të mbahen më 26 janar.
Krasniqi tha se kjo datë “do të shënojë ikjen e një qeverie të papëregjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën”.
Sipas tij, me Bedriun në krye të Qeverisë, Kosova do të rikthehet në rrugën e munguar të zhvillimit, integrimit, partneritetit e miqësisë së mirëfilltë
“Është koha që të bëhemi bashkë edhe një herë për Kosovën që e ëndërrojmë të gjithë”, shkroi Krasniqi.
Vetë Hamza, që është kandidat për kryeministër, tha se 9 shkurti do ta përcaktojë drejtimin e ardhshëm të vendit.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, reagoi duke shkruar “Le të bëhemi bashkë!”.
“ Më 9 shkurt, le të ringritemi si një! ✌️”, thuhet në postimin e Abdixhikut.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se po vjen koha për ndryshim.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk ka bërë ende ndonjë reagim.
Pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, këshilltari politik i Osmanit, Bekim Kupina, tha se pas konsultimeve me partitë politike, por edhe me kreun e KQZ-së, 9 shkurti u zgjodh si “datë optimale që balancon preferencat e të gjitha palëve të vështira”.