Izet Mexhiti tha se kompania shtetërore në mënyrë joligjore ka marrë tri licenca për kazino online që sic thotë, kjo është arsyeja qe ka gjithandej kazino dhe bastore, përcjell TV21. Mexhiti tha se ata që kanë shkelur ligjin duhet të mbajnë përgjegjësi ndërkohë që bëri të ditur se tri kompani për lojërat e fatit janë në mbyllje e sipër.
“Me ligj, kompania shtetërore ka dhënë licencë para 15 viteve dhe ajo ka një afat deri kur kryhet. Me ligj është e paraparë që të ketë vetëm një licencë, këto jashtë ligjit kanë dhënë licenca të reja në mënyrë jologjore. 3 licenca për kazino online dhe kjo ka kontribuar që nëpër lagjet tona ka vetëm kazino dhe bastore… U vërtetua në parlament në baze të interpretimit autentik që është vepruar në mënyrë joligjore, këto prej sot janë në mbyllje e sipër dhe ata të cilët kanë shkel ligjin duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha Mexhiti.
Ai shtoi se kanë plan për të trajtuar pasojat e dëmshme nga lojërat e fatit, duke thënë se hapi i parë i këtij plani është largimi i lojërave të fatit nga shtëpitë.
“Falë vendimeve të gabuara, të papërgjegjshme dhe korruptive të ministrave të BDI- së, përmes hapjes së tre kompanive të reja për organizimin e lojërave të fatit në internet, lojërat e fatit përmes pajisjeve mobile dhe kompjuterëve hynë në shtëpi, duke i bërë të rinjtë një objektiv edhe më të lehtë për këtë dukuri jashtëzakonisht devijuese. Për këtë arsye, paraqitëm Kërkesë për interpretim autentik të nenit 7 të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, me qëllim që të marrim një interpretim të saktë nëse vendimi i Qeverisë së mëparshme dhe drejtuesve të Lotarisë Shtetërore për lojërat e fatit në internet ka bazë ligjore. Interpretimi autentik është miratuar nga shumica e deputetëve dhe parashikon që lojërat e fatit në internet mund të organizohen vetëm mbi bazën e një licence të vlefshme. Duke marrë parasysh se të gjitha kompanitë që në kohën e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit morën pjesë në thirrjen publike dhe u zgjodhën për të organizuar lojëra të fatit në internet nuk kanë licenca, kjo do të thotë se menjëherë dhe pa vonesë do të largojmë lojërat e fatit si një e keqe shoqërore nga shtëpitë e qytetarëve tanë”, tha Mexhiti.
Ai theksoi se pika tjetër e planit për trajtimin e pasojave të dëmshme të lojërave të fatit është inicimi i procedurave të përshtatshme gjyqësore për të vërtetuar abuzimin me pozitën dhe autoritetin zyrtar nga të gjithë ata që kanë marrë vendime të paligjshme lidhur me organizimin e llojeve të ndryshme të lojërave të fatit.
“Përfundimisht, tashmë jemi duke punuar dhe brenda një afati të arsyeshëm, Qeveria do t’i propozojë Kuvendit një ligj të ri për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, i cili do të përmbajë një sërë dispozitash me të cilat jemi të sigurt se numri i objekteve ekzistuese për lojërat e fatit do të zvogëlohet të paktën përgjysmë”, tha Mexhiti. (INA)