Qeveria duhet t’ia marrë kompetencat kryetares së qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, në sektorin e ndërmarrjeve publike Higjiena komunale dhe Parqet dhe Gjelbërimi. Kështu vendosën kryetarët e komunave të Shkupit në takimin e organizuar nga kryetari i BNJVL-së Orce Gjorgjievski, që po ashtu është kryetari i Kisella Vodës. Duhet të fillojmë me procesin e shpërbërjes së ndërmarrjeve publike dhe dhënien e kompetencave dhe obligimeve në secilën komunë të Shkupit, tha ai.
“Në 50 gradë nuk ka komunë, nuk ka vendbanim në Shkup ku kontejnerët nuk janë të stërmbushur me mbeturina, nuk ka parqe në të cilat fatkeqësisht të rinjtë mund të argëtohen, apo të shëtisin në shtigjet që janë të tej mbushur me bar. Është evidente se qyteti i Shkupit nuk funksionon. Është turp për një turist të vijë në Shkup sot. Nga një qytet që për 2-3 vjet duhet të jetë qytet i kulturës, stolia e kulturës, aktualisht po përballemi me një situatë prej së cilës që të gjithëve na vjen turp”, tha Orce Gjorgjievski, kryetar i Kisella Vodës.
Lidhur me paralajmërimin për revokimin e autorizimeve të qytetit të Shkupit, për çka dje foli edhe kryeministri Mickoski, nga kabineti i kryetares Danella Arsovska u përgjigjën me një deklaratë në të cilën fajin ia bartin Mickoskit dhe këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, të cilët, siç thuhet, po bllokojnë programet për punë.
“E mirëpresim paralajmërimin e Mickoskit dhe e inkurajojmë që sa më shpejt të marrë përgjegjësinë për gjendjen në kryeqytet që ai e krijoi. Si fillim, apelojmë që kryeministri Mickoski t’i mbushë me mendje këshilltarët nga VMRO-DPMNE në Këshillin e Qytetit të Shkupit, të cilët për të tretin vit radhazi me vetëdije po pengojnë punën e ndërmarrjeve publike për të marrë pika politike”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Stilin e Arsovskës e dimë, ndërsa komunikimi duhet të jetë në dy kahje dhe nuk mund që punët në qytetin e Shkupit të funksionojnë si në sulltanat, ktheu kryetari Gjorgjievski.
“Ja, sipas saj, sot fajin e ka VMRO-DPMNE, pastaj i ndërroi të gjithë drejtorët, emëroi mendje të shkëlqyeshme, personalisht ajo i emëroi, nuk i emëroi VMRO-DPMNE ose dikush prej nesh, për të 13 herë ndërron njerëz të ndërmarrjeve publike. Thjesht kështu qyteti i Shkupit nuk mund të funksionojë dhe të kihet komunikim, këtu qëndron problemi”, tha Orce Gjorgjievski, kryetar i Kisella Vodës.
Të pakënaqur nga funksionimi dhe komunikimi me kryetaren Arsovska u shprehën edhe kryetarët e tjerë. Visar Ganiu nga komuna e Çairit tha se mbi dy vjet nuk kanë asnjë koordinim me Arsovskën ndërsa e njëjta i ka bllokuar në telefon. Arsovska njëkohësisht u ka ndaluar punëtorëve ta kryejnë punën e tyre në komuna.
“Prej dy vitesh nuk kemi asnjë komunikim me kryetaren aktuale. Nuk kemi komunikim as individualisht, as si kolegë, na bllokon në telefon dhe gjithkund, por nuk kemi as përmes detyrës zyrtare. Pra, ne nuk dimë si të funksionojmë. Është investuar për një mega park në Çair dhe pastaj papritmas, ajo që është në kompetencë të Qytetit të Shkupit është lënë ashtu me muaj të tërë, 3-4-5 muaj që nuk ka ardhur asnjë punonjës. Kur i pyeta punëtorët, sepse më së shumti janë nga Çairi, më thanë nuk na lejohet, na thanë për Çairin nëse bëni diçka do të mbeteni pa punë”, tha Visar Ganiu, kryetar i komunës së Çairit.
Kryetarët e tjerë janë ankuar se në komunat e tyre nuk është kositur bari dhe se Arsovska i ka kërcënuar se nëse e presin do të shkarkohen. Kryetari i Komunës së Karposhit, Stevçe Jakimovski tha se duhet të miratohet Ligji për inspektim komunal, por edhe të rriten çmimet e shërbimeve komunale. Sa i përket situatës me NPQ Shkup, pritet që të bisedohet me Qeverinë për të gjetur zgjidhje për problemin e transportit me autobusë.