Autori i njohur i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Paul Williams, ka konfirmuar zyrtarisht se është duke përgatitur një platformë në konsultim me BDI-në për legjitimitet ndëretnik. Në prononcimin për Klan, ai ndër të tjera thekson se zyra e tij e avokatisë dhe një ekip avokatësh ndërkombëtarë janë duke punuar për vërejtjet në lidhje me, siç thotë ai, mosrespektimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe legjitimitetit ndëretnik të institucioneve në shtet. Bëhet fjalë për një propozim platformë për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në procesin e formimit të Qeverisë dhe legjitimitetit ndëretnik të Qeverisë, transmeton Portalb.mk.
Nga VMRO-DPMNE dje sërish me një përgjigje të drejtpërdrejtë se këto janë, siç thonë, tentativa boshe të Ahmetit, të cilat nuk do t’i pranojnë, por edhe drejtpërdrejt e pyesin të parin e itegristëve pse nuk e ka paraqitur këtë ide sa ishte në qeveri me LSDM-në.
Më 13 korrik, Ali Ahmeti në një takim ndërpartiak njoftoi se kishte kontaktuar me Williamsin dhe kishte shprehur vërejtjet e tij pas zgjedhjeve të 8 majit se, siç tha ai, nuk respektohej rregulli fitues me fitues, për çka u angazhua eksperti i së drejtës ndërkombëtare të përgatisë një propozim platformë për legjitimitetin ndëretnik të institucioneve në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit.
Mirëpo, Ahmeti mbeti i vetëm me këtë ide sepse nuk ka marrë përkrahje nga partneri i mëparshëm i koalicionit LSDM dhe as Vlen nuk beson se Ahmeti është kompetent të flasë për parimin fitues me fitues.
Paul Williams, i cili u angazhua nga integristët për këtë platformë, është bashkëthemelues i Grupit Ndërkombëtar për Ligjin dhe Politikën (GNLP), një shoqëri që ofron ndihmë juridike për shtetet dhe qeveritë në negociatat e paqes, kushtetutat pas konfliktit.
Konsiderohet si një mbështetës i palëve në përpjekjet për të arritur negociatat ndërkombëtare të paqes dhe ekipi i tij ka këshilluar shumë vende për hartimin dhe zbatimin e kushtetutave pas konfliktit. Ai ishte gjithashtu këshilltar ligjor për çështjet evropiane dhe kanadeze në Zyrën e Këshilltarit Ligjor të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Ndryshe, Bashkimi Demokratik për Integrim e udhëhoqi koalicionin parazgjedhor “Fronti Europian” në zgjedhjet e fundit të 8 majit. Ata arritën të marrin 18 deputetë, por nuk arritën të bëhen pjesë e koalicionit qeveritar.
Koalicioni qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski përbëhet nga VMRO-DPMNE-ja, VLEN-i dhe ZNAM.