Istanbul
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se ajo që ka ndodhur në Gaza nga sulmet izraelite që nga 7 tetori i vitit të kaluar nuk është luftë, por është gjenocid, raporton Anadolu.
Presidenti Erdoğan mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të oficerëve të shtabit në kampusin e Universitetit të Mbrojtjes Kombëtare në Istanbul, ku u adresua me një fjalim para të pranishmëve.
Ai theksoi se për sa kohë që “Izraeli kërkon sigurinë e tij duke pushtuar më shumë toka, asnjë vend në rajon, përfshirë Turqinë, nuk mund të ndihet 100 për qind i sigurt”.
“Dëshira e Turqisë është që së shpejti të shpallet një armëpushim në mënyrë që banorët e Gazës të marrin frymë më lehtë”, tha ai.
Presidenti turk po ashtu theksoi se vendi i tij në samitin e NATO-s në Washington tha qartë se duhet të bëhet më shumë presion ndaj qeverisë izraelite që të arrihet armëpushimi.