Kryeministri hungarez Viktor Orban mbërriti të premten në Moskë, ku është takuar me presidentin Vladimir Putin.
Hungaria mori presidencën e radhës gjashtëmujore të unionit europian. Më herët Orban vizitoi Ukrainën ku u takua me Presidentin Volodymyr Zelenskyy, por vizita në Moskë është shoqëruar me kritika të forta nga liderët e tjerë të BE-së të cilët e kanë paralajmëruar të mos fliste në emër të Bashkimit Europian. Nga ana e tij, Orban u kundërpërgjigj se nuk përfaqëson asnjë vend, por se shkoi në Moskë në emër të paqes dhe ndalimit të luftës midis Ukrainës dhe Rusisë.
“Qëllimi im ishte të hapja kanalet e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe të nisja dialogun drejt një rruge më të shpejtë paqeje. Misioni u krye”, tha lideri hungarez. Megjithatë, presidenti rus, Vladimir Putin e ka refuzuar kërkesën për armëpushim.
Udhëheqësi rus tha se Moska ishte gjithmonë e hapur për një zgjidhje politike dhe diplomatike. Putin tha se Orban e kishte informuar për takimin e fundit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Kiev dhe për propozimin hungarez për një armëpushim urgjent, i cili do të mundësonte fillimin e negociatave.
Presidenti rus shtoi menjëherë se Ukraina nuk do të pajtohet me këtë sepse “Zelensky dëshiron që gjendja e jashtëzakonshme të vazhdojë, sepse ai dëshiron të qëndrojë në pushtet përgjithmonë”. Putin shtoi se Rusia dëshiron një “fund të plotë dhe përfundimtar të konfliktit” dhe çelësi për t’i dhënë fund konfliktit duhet të jetë propozimi rus. /a2news/