Tre vjet më parë, Keir Starmer konsideroi seriozisht dorëheqjen si lider i Laburistëve. Ishte viti 2021 dhe partia e tij sapo kishte humbur zgjedhjet e pjesshme nga konservatorët e Boris Johnson. Keir është bërë personi i pestë në historinë britanike që ka çuar Laburistët nga opozita në pushtet.
Keir Starmer, një nga katër fëmijët e familjes së tij, u rrit në qytetin Oxted në kufirin Kent-Surrey. Keir ka folur për sfidat e rritjes në një kohë të inflacionit të lartë në vitet 1970. “Nëse je klasë punëtore, ke frikë nga borxhi”, tha ai gjatë fushatës zgjedhore. “Mamaja dhe babai im kishin frikë nga borxhi, kështu që ata do të zgjidhnin faturën që nuk do ta paguanin. Zgjedhja ishte fatura e telefonit.”
Në rininë e tij ishte i fiksuar pas futbollit, por shfaqi edhe talent për muzikën duke mësuar violinën. Keir i përkiste një brezi rebel. Me miqtë e tij dikur u kap nga policia duke shitur ilegalisht akullore në një plazh francez për të mbledhur para. Po përsa i takon politikës? Gjithmonë kishte të dhëna se politika do të ishte fusha ku ai do të luftonte përgjatë gjithë jetës, duke u përfshirë në politikën e krahut të majtë. Kjo filloi në shkollë, kur ai iu bashkua Socialistëve të Rinj, lëvizjes rinore Laburiste. Pas shkollës, Keir u bë personi i parë në familjen e tij që shkoi në universitet, duke studiuar për drejtësi në Universitetin e Leeds dhe më vonë në Oksford. Në Leeds, ai u ndikua nga muzika e viteve 1980, nga The Smiths dhe Aztec Camera. Pak kohë pas diplomimit, Keir u zhvendos të jetonte në veri të Londrës.
Ai punoi për një kohë të gjatë që të bëhej një avokat i suksesshëm dhe i shquar për të drejtat e njeriut. Në të njëjtën kohë, vazhdoi aktivizimin e tij të majtë, si një bashkëpunëtor i shquar i revistës Socialist Lawyer. Por politika ishte ende asokohe një interes anësor dhe për pjesën më të madhe të 20 viteve të ardhshme, karriera e tij ligjore ishte fokusi i tij kryesor. Në vitin 2008, ai u bë Drejtor i Prokurorisë Publike, kryeprokuror për Anglinë dhe Uellsin. Keir pëlqen shpesh të flasë për këtë periudhë të jetës, si një shembull i përkushtimit të tij ndaj shërbimit publik dhe shpesh kujton rolin në ndjekjen penale të bandave terroriste.
Nën qeverinë e koalicionit 2010-2015, mbikëqyri vendimet e profilit të lartë, duke përfshirë ndjekjen penale të deputetëve për shpenzimet e tyre parlamentare, pas skandalit të vitit 2009 dhe ndjekjen penale të ministrit të atëhershëm të kabinetit Lib Dem, Chris Huhne. Puna ligjore e Keir u shpërblye me një titull kalorësi në 2014.
Vetëm në moshën 52-vjeçare erdhi ndryshimi i karrierës së tij. Keir u zgjodh për një vend të sigurt laburist në veri të Londrës. Ai dhe paraardhësi i tij, Rishi Sunak, u bënë deputetë në të njëjtën ditë, por partia e tij nuk ishte në ditët më të mira. Konservatorët sapo kishin fituar zgjedhjet e përgjithshme dhe një betejë e ashpër fraksionale u shfaq pasi Jeremy Corbyn u bë lider.
Keir Starmer tani 61 vjeç, u martua me gruan e tij Victoria në vitin 2007. Zonja Starmer është parë në disa ngjarje të profilit të lartë si fjalime, një miting javën e kaluar dhe në një koncert të Taylor Swift. Por ajo nuk ka gjasa të luajë një rol aq të rëndësishëm në jetën publike sa zonjat e tjera në të kaluarën. Starmer sakaq ka qenë i qartë në lidhje me ndikimin që mund të ketë zyra e lartë, veçanërisht te djali dhe vajza e tij adoleshente.
Ai i tha BBC-së në vitin 2021: “Jam i shqetësuar për fëmijët e mi. Kjo është ndoshta e vetmja gjë që më mban zgjuar, se si do t’i mbrojmë ata përmes kësaj.” Është një sfidë me të cilën çifti Starmer do të përballen tani teksa po lëvizin në Downing Street. /a2news/