Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) njofton se prej të hënës do të fillojë me pagesën e kompensimeve në të holla në bazë të masës antikrizë për mbështetjen e familjeve të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme.
Siç bënë të ditur nga MASH, në ditën e parë të mandatit, ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, i obligoi sektorët kompetent që të bëjnë pasqyrë tabelare të detajuar të detyrimeve financiare të parealizuara për çdo nxënës, familja e të cilit i plotëson kushtet dhe ka parashtruar kërkesë për realizimin e kësaj të drejte.
Në bazë të raportit të dorëzuar, është realizuar plan me dinamikë të pagesës e cila fillon që nesër.
“Në vend të zgjidhjeve afatshkurtra jocilësore, nxënësit dhe familjet e tyre meritojnë mbështetje të vërtetë dhe të vazhdueshme sistematike për të lehtësuar procesin edukativo-arsimor dhe për t’i tejkaluar sfidat me të cilat janë përballur çdo ditë vitet e fundit. Me ardhjen e Qeverisë së re, të rinjtë do të jenë në fokus të politikave, ndërsa cilësia e arsimit dhe mundësitë për të realizuar potencialin personal në kufijt e vendit në mënyrë të planifikuar dhe të vazhdueshme do të rriten”, thonë nga MASH.