Paraqitja e presidentit aktual në debat nxiti shqetësime përbrenda partisë demokratike, pasi ai nuk arriti t’u përgjigjet sulmeve e pretendimeve të paqena të rivalit republikan. Bideni shpesh nuk qe në gjendje t’i shprehte me qartësi dallimet me Trumpin. E në një moment, pasi Bideni u ngatërrua tek i mbronte qëndrimet për sigurinë kufitare, Trumpi edhe u tall me të
Presidenti amerikan, Joe Biden, është tre vjet e shtatë muaj më i moshuar se pararendësi i tij Donald Trump. Por në debatin e parë presidencial mes tyre, dallimi në moshë midis Bidenit 81 vjeç dhe rivalit të tij republikan për president dukej shumë më i madh.
Me zë të ngjirur, Bideni shpesh nuk qe në gjendje t’i shprehte me qartësi dallimet me Trumpin. Në një moment gjatë debatit, pasi Bideni u ngatërrua tek i mbronte qëndrimet për sigurinë kufitare, Trump u tall me të. “Me të vërtetë s’e di çfarë tha në fund të asaj fjalie, po ashtu s’mendoj se e di edhe ai vet”, i tha ai.
Trumpi në disa raste e përsëriti kundërshtimin e tij për rezultatin e zgjedhjeve të 2020-s. Tha se ato të 2024-s do t’i pranonte po qe se janë “të drejta e ligjore”, e më pas iu kthye gënjeshtrave për mashtrim në zgjedhjet e katër vjetëve më parë.
“Ti vetëm di të ankohesh dhe ke humbur herën e parë”, iu përgjigj Bideni.
Është hera e parë që Biden e Trump debatuan pas 2020-s dhe e bënë historinë: Të parën herë ndonjëherë u përballën një president në detyrë dhe një ish-president. E përplasjet mes tyre nuk munguan në shumë fusha, nisur nga aborti, emigracioni, politika e jashtme, inflacioni e një gamë çështjesh tjera.
Përballja mori edhe kthesë personale. Kur Bideni ia përmendi Trumpit rastet penale, republikani ia kujtoi atë të të birit të tij, Hunter Biden, që u dënua së fundmi. Presidenti aktual e akuzoi Trumpin për marrëdhënie seksuale me yllin pornografik, Stormy Daniels, derisa gruaja e tij ishte shtatzënë. Kësaj Trumpi iu përgjigj me mohim.
Mosha e Bidenit i përkeqësoi gjërat
Puna më e madhe për Bidenin në debatin e të enjten mbrëma në Atlanta ishte që t’i shuante shqetësimet e votueseve për moshën dhe t’i kthente zgjedhjet në referendum për Trumpin. Por dështoi.
Tek fliste me zë të ngjirur, fjalët e tij shpesh nuk u kuptuan. Pati edhe ngatërresa, veçanërisht kur citoi statistika e ligje. Rrallëherë e ngriti zërin në përpjekje për ta sulmuar Trumpin gjatë përpjekjeve të tij për të përmbysur zgjedhjet e 2020-s, emërimet në Gjykatën e Lartë që çuan në përmbysjen e mbrojtjes së të drejtave të abortit dhe tjera.
Dy burime nga ekipi i Bidenit thanë pas debatit se ai së fundmi u përball me një grip. E megjithëse zgjedhjet paraprake demokrate mbaruan prej kohësh, performanca e tij nxiti përplasje mes anëtarëve të partisë nëse nominimi i dytë i Bidenit ishte vendim i duhur.
Trumpi i jep “pak” goditje Bidenit
Ani se njihet si kandidat që sulmon rregullisht Bidenin, Trumpi u tregua i përmbajtur karshi ngatërresave të shumta të presidentit. Kur Bideni u ngatërrua teksa fliste për borxhin kombëtar, duke u përpjekur të shpjegonte përfitimet nga rritja e taksave për super të pasurit përpara se të humbiste dhe të përfundonte me deklaratën: “Më në fund e mposhtëm Medicaren”, u krijua përshtypja se Trumpi do të hidhej “në sulm”. Por ani se shihej tek e kafshonte buzën, Trumpi e bëri atë që nuk i ngjasonte atij: u përgjigj si politikan tipik.
“Epo, ai ka të drejtë: ai e mundi Medicaren. E e mundi atë për vdekje”, tha Trump. E më pas u hidh në kritika për politikën e imigracionit të Bidenit.
Hamendje rreth qëllimeve të Bidenit
Ndryshe prej përballjes së katër vjetëve më parë, kur Bideni i analizonte pretendimet e Trumpit dhe ofronte vizion shpresëdhënës, mesazhet e tij të enjten dolën të paqarta. U vu qartazi në mbrojtje pjesën më të madhe të debatit. E sulmet ndaj Trumpit rezultuan të pabarabarta teksa u mundua t’i nxirrte faktet mbi gënjeshtrat e ish-presidentit. Për çështjen më të madhe për demokratët, abortin, dështoi.
Republikat e tij të zhytura në statistika ishin të vështira për t’u përcjellë.
“Kemi 1000 trilionerë në Amerikë, miliarderë në Amerikë, dhe çfarë po ndodh, ata janë në një situatë ku në fakt paguajnë 8.2% taksa. Nëse ata thjesht paguajnë 24% ose 25%, ose një nga ato shifra, kur ata mbledhin 500 milionë dollarë, miliardë dollarë, për shembull, në një periudhë 10-vjeçare, do të ishim në gjendje të fshinim borxhin e tij”, tha ai.
Në tërë debatin, strategji e Bidenit ka qenë që të përdorë një frazë fyese për të sulmuar Trumpin.
“Çdo gjë që ai tha është gënjeshtër. Çdo gjë”, tha ai në një moment. “Kurrë s’kam dëgjuar kaq shumë gjëra për keqardhje në jetën time”.
Dhe në një pikë potencialisht të ndritur për Bidenin, presidenti e citoi një raport të 2020-s nga “The Atlantic” në të cilin Trump iu pati referuar të vdekurve nga lufta amerikane si “dështakë” e “humbës”. E përmendi djalin e tij, Beau, që vdiq nga kanceri i trurit pas ekspozimit të tymrave toksike në Irak.
“Djali im nuk ishte dështak. Ju jeni dështak. Ju jeni humbësi”, tha Biden.
Përplasja për Izraelin e Gazën
Me qasje të kundërta u shpërfaqën Bideni e Trumpi për luftën në Gazë.
“Lëreni Izraelin ta përfundojë punën”, i tha ai Bidenit, duke sugjeruar se presidenti bëri përpjekje të shumta për ta frenuar qeverinë izraelite dhe bombardimet ndaj palestinezëve. Trumpi nuk tha nëse do ta mbështeste një shtet palestinez, por ngulmoi se sulmi i Hamasit më 7 tetor në Izraelit nuk do të kishte “ndodhur kurrë” po qe se ai do të ishte në Shtëpinë e Bardhë. Tha po ashtu se Bideni është “bërë si një palestinez, por ata nuk e pëlqejnë sepse ai është një palestinez i keq”. Kjo ishte menduar mbase si goditje për të sugjeruar se Bideni është respektues për palestinezët, por edhe i paefektshëm për të fituar respektin e tyre.
Bideni foli për aleancën e SHBA-së me Izraelin, teksa theksin e vuri te armët që i ofrohen Izraelit.
Presidenti i ardhshëm – qoftë Bideni apo Trumpi – do të ketë punë të madhe për të bërë në rajon. Dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme në Izrael dhe në Gaza, ku pasi të përfundojnë luftimet, SHBA-ja dhe fuqitë e tjera botërore do të thirren për të negociuar një lloj rruge paqësore përpara.
Trumpi “shmang” deportimet
Përkitazi me temën e imigracionit, Trumpi nuk iu shmang përgjigjes së drejtpërdrejt në pyetjen nëse goditja e ashpër e imigracionit që e premtoi do të përfshijë dëbimin e atyre që për dekada janë në SHBA, atyre me vende pune dhe atyre bashkëshortët e të cilëve janë shtetas amerikanë.
Në vend të kësaj, u përfshi në sulm ndaj Bidenit duke e akuzuar se e mban fajin për krimet e emigrantëve pa dokumente qëkur e mori detyrën.
E Biden iu përgjigj: “Çdo gjë që tha është gënjeshtër”.
Republikani e akuzoi presidentin për peizazhin e zymtë të botës e politikës globale. E refuzoi të shprehte qëndrim të qartë për NATO-n, tek u mburr për përpjekjet e tij në funksion të informimit të vendeve anëtare mbi detyrimet që i kanë.
Ndërkaq Bideni e akuzoi Trumpin se e inkurajoi presidentin rus, Vladimir Putin, ta niste pushtimin në Ukrainë. Arsyetimi i Bidenit për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Ukrainën u nda në dy linja: Së pari, se është hap prioritar dhe thelbësor ngase Putini, siç beson ai, nuk do të ndalet në kufirin perëndimor të Ukrainës. Argumentoi po ashtu, siç bëri në të kaluarën, se ekzistenca e NATO-s e fuqizon në thelb SHBA-në, si dhe se një aleancë e tillë e ngushtë me Evropën Perëndimore i ofron SHBA-së ndihmë më të fortë në të gjitha ndërveprimet e saj në botën.
Oferta e Trumpit për votuesit me ngjyrë dhe ata latinë
Kur debati u kthye te votuesit me ngjyrë, Trumpi e shfrytëzoi mundësinë për t’u atyre dhe votuesve latinë një ofertë për ta goditur Bidenin mbi inflacionin.
Gjasat e Bidenit për të fituar në nëntor varen nga mbështetja e votueseve me ngjyrë në Wisconsin, Michigan, Pennsylvania dhe nga rezultati në Georgia e North Carolina.
Kur u pyet se cili është mesazhi i tij për votuesit me ngjyrë të papunë dhe që përballen me pabarazi në paga e fusha të tjera, Bideni lavdëroi politikat e tij, duke përfshirë përpjekjet për të reduktuar borxhin e pagesave për studentët.
“Nuk i fajësoj ata që janë zhgënjyer, inflacioni ende po i dëmton keq”, tha ai. “Ka më shumë për të bërë, por kemi bërë shumë deri tani, dhe nuk po heq dorë dhe këtë ata e dinë”.
Trump fajësoi Bidenin për krijimin e inflacionit dhe tha se politika e tij e imigracionit ka çuar në humbje të vendeve të punës për njerëzit me ngjyrë. Ai rrejshëm e akuzoi Bidenin se u është drejtuar njerëzve me ngjyrë si “supergrabitqarë” gjatë viteve 90’.
Qëndrime të njëjta për inflacionin
Të dy liderët shprehën qëndrim të njëjtë kur iu kërkua të shpjegonin të dhënat e tyre për pandeminë.
I pyetur në fillim të debatit lidhur me një nga çështjet me të cilat përballet oferta e tij për rizgjedhje – inflacioni – Bideni tha se e trashëgoi një ekonomi “në rënie të lirë”, shkaku i vendimeve të Trumpit për Covid-19. Tha se pandemia ishte “trajtuar tej mase keq” nga paraardhësi i tij. E citoi Trumpin tek tha se koronavirusi nuk ishte “aq serioz” dhe u tall me sugjerimin e Trumpit për injektimin e dezinfektuesit në trup.
E Trumpi e fajësoi pandeminë për ndalimin e një ekonomie që “ishte më e mira në historinë e vendit”.
Trumpi, i cili grumbulloi dy herë më shumë borxh federal se sa Bideni sipas një raporti të ri jopartiak, pretendoi se ishte gati të niste për ta paguar borxhin e vendit, kur u shfaq për herë të parë koronavirusi. E zhvendosi bisedën më pas në trajtimin e pandemisë nga pasardhësi i tij, duke e kritikuar për detyrimin e marrjes së vaksinave të krijuara nga administrata Biden.
Debati i dytë pritet të mbahet më 10 shtator, kur Bideni e Trumpi do të përballen për herë të fundit para zgjedhjeve.
Deklaratat e pavërteta të të dy kandidatëve
6 Janari
Trump: Flitet për një numër relativisht të vogël njerëzish që shkuan në Capitol dhe që në shumë raste u drejtuan për atje nga policia.
Faktet: E pavërtetë. Sulmi në Capitol ishte sulmi më i përgjakshmi ndaj institucionit amerikan në 200 vjetët e fundit. Siç është dokumentuar nga video-incizimet, fotografitë dhe dëshmitarët e pranishëm, mijëra njerëz shkuan te Capitoli, duke e shndërruar në një skenë përleshjesh me policinë.
Sipas një dokumenti të brendshëm që mban datën e 7 marsit, 2023, shefi i policisë në Capitol J. Thomas Manger deklaroi se pretendimet që “oficerët tanë kanë ndihmuar protestuesit duke vepruar si ‘ciceronë’ janë “fyese dhe të rreme”. Mbi 850 njerëz pranuan fajësinë për krimet dhe 200 të tjerë u gjykuan e dënuan.
Trumpi, për kryetaren e atëhershme të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi më 6 janar: “Unë ia ofrova 10,000 ushtarë të Gardës Kombëtare dhe ajo i refuzoi”.
Faktet: Pelosi nuk i dha urdhër Gardës Kombëtare. Teksa po sulmohej Capitoli, ajo dhe udhëheqësi i atëhershëm i shumicës në Senat, Mitch McConnell kërkuan ndihmë ushtarake, përfshirë nga Garda Kombëtare.
Bordi i policisë së Capitolit është autoriteti që vendos nëse duhen thirrur trupat e Gardës Kombëtare. Ai përbëhet nga rreshteri i Dhomës së Përfaqësuesve, rreshteri i Senatit dhe Arkitekti. Bordi mori vendim të mos e thërriste Gardën para sulmit, por kërkoi ndihmë pas kishin filluar trazirat dhe trupat erdhën disa orë më vonë. Rreshteri i Dhomës së Përfaqësuesve i raporton Pelosit dhe Rreshteri i Senatit i raporton McConnellit. Nuk ka prova që Pelosi apo McConnell t’u kenë thënë zyrtarëve të sigurisë të mos e thërrisnin gardën paraprakisht.
Taksat dhe rregulloret
Trumpi për Bidenin: Ai do t’jua katërfishojë taksat.
Faktet: Nuk është e saktë.
Trumpi e ka bërë këtë deklaratë në tubime zgjedhore, por nuk është mbështetur në fakte. Bideni dëshiron të parandalojë rritjen e taksave për ata që fitojnë më pak se 400 mijë dollarë, ku hyjnë shumica e gjerë e taksapaguesve.
Propozimi për buxhetin i Bidenit nuk parashikon rritjen e taksave siç pretendon Trumpi, ndonëse rritja është e përqendruar te korporatat dhe të pasurit. Shkurtimet e taksave të miratuara nga Trumpi skadojnë pas vitit 2025, sipas ligjit të miratuar në kohën kur ai ishte president.
Trump, duke iu referuar 6 janarit të vitit 2021: “Më 6 janar ne kishim shkallën më të ulët të taksave. Kishim shkallën më të ulët të rregulloreve në histori më 6 janar”.
Faktet: Tatimi i tanishëm federal mbi të ardhura ka hyrë në fuqi për herë të parë në vitin 1913 dhe norma e tatimit është luhatur dukshëm që atëherë. Normat më të ulëta ishin në vitet 1920. Trumpi uli taksat gjatë qeverisjes së tij, por normat nuk kanë qenë më të ulëtat në histori.
Rregulloret qeveritare po ashtu janë luhatur gjatë historisë, por përgjithësisht ka pasur rritje në numrin e rregulloreve krahas modernizimit të vendit dhe rritjes së popullatës. Tani ka më shumë rregullore për çështjet e ambientit, punësimit, shkëmbimeve financiare dhe aspekteve tjera të përditshmërisë. Ndonëse Trumpi ka shfuqizuar disa rregullore, ai nuk e ka kthyer shtetin në kohët e shkuara, kur kishte më pak rregulla.
Insulina
Bideni: Një injeksion i insulinës kushton 15 dollarë, e jo 400.
Faktet: Nuk është e saktë. Çmimi tavan i insulinës për amerikanët e moshuar, që janë të mbuluar nga sigurimi shëndetësor Medicare, është 35 dollarë bazuar në Vendimit për Uljen e Inflacionit të viti 2022, të miratuar nga Bideni. Ky çmim tavan hyri në fuqi vitin e kaluar, kur shumë nga prodhuesit e barnave njoftuan se do ta ulin çmimin e ilaçit në 35 dollarë për shumicën e përdoruesve që kanë sigurime shëndetësore private. Por Bideni e ekzagjeroi që njerëzit në të kaluarën kanë paguar deri në 400 dollarë në muaj.
Ndryshimet klimatike
Trumpi tha se “gjatë katër vjetëve të qeverisjes, kisha treguesit më të mirë mbi çështjet e ambientit” dhe se ai mbështet ajrin dhe ujin “e pastër”.
Faktet: Larg pasqyrës së plotë të gjendjes. Gjatë presidencës së tij, Trumpi shfuqizoi disa nene të Vendimit për Ujë të Pastër, lehtësoi rregullat ndaj kompanive të qymyrit, naftës dhe gazit dhe i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Marrëveshja klimatike e Parisit. Kur zjarret goditën Kaliforninë në vitin 2020, ai hodhi poshtë konsensusin shkencor që zjarret ishin pasojë e ndryshimeve klimatike. Ai po ashtu i hodhi poshtë paralajmërimet rreth ndryshimeve klimatike dhe vazhdimisht propozoi shkurtime të thella në Agjencinë për Mbrojtjen e Ambientit. Shkurtime u bllokuan nga ligjvënësit demokratë dhe republikanë.
Aborti
Trumpi: Problemi është se ata janë radikalë ngaqë do të merrnin jetën e një fëmije në muajin e tetë, muajin e nëntë, madje edhe pas lindjes.
Faktet: Trumpi e bëri deklaratë të pasaktë kur iu referua aborteve pas lindjes. Vrasja e foshnjave është vepër penale në të gjitha shtetet dhe asnjë shtet nuk ka miratuar ndonjë ligj që lejon vrasjen e foshnjës pas lindjes.
Aktivistët për të drejtat e abortit thonë se ky emërtim dhe fjalitë e tipit “aborte në fazën e vonshme (të shtatzënisë)” janë përpjekje për të stigmatizuar abortet që bëhen në fazën e vonshme të shtatzënisë. Abortet e tilla janë shumë të rralla.
Abortet në shtatzëninë e vonshme janë gjithashtu kryesisht rezultat i komplikimeve serioze, siç janë anomalitë në fetus, që rrezikojnë jetën e nënës apo të fetusit, sipas ekspertëve mjekësorë.
Rusia
Trumpi për gazetarin e “Wall Street Journal” Evan Gershkovich, i cili u arrestua në Rusi: Ai do të duhej të ishte liruar para shumë kohësh, por sigurisht Putini po kërkon miliarda dollarë, ngaqë ky njeri paguan çdo herë.
Faktet: Trump e ka gabim kur deklaron se Bideni paguan “çdo herë” për të siguruar lirimin e pengjeve dhe amerikanëve të arrestuar pa të drejtë. Po ashtu nuk ka asnjë provë të vetme që Putin po kërkon para për lirimin e gazetarit Gershkovich.
COVID-19
Biden: Trumpi u tha amerikanëve “të injektojnë preparat pastrimi dezinfektues” për të trajtuar COVID-19.
Faktet: Ky është një ekzagjerim. Në fakt, Trumpi ka pyetur nëse është e mundur të injektohet dezinfektuesi në mushkëri.
“Dezinfektuesi e shkatërron (virusin) brenda një minute”, deklaroi ai në një konferencë shtypi në prill të vitit 2020. “A ka mënyrë që ta bëjmë një gjë të tillë, duke injektuar brenda, apo afër një (preparat) pastrimi, ngaqë virusi hyn në mushkëri dhe i dëmton mushkëritë, andaj do të ishte interesant ta shqyrtojmë këtë mundësi, duhet që mjekët ta bëjnë një gjë të tillë, por më duket interesant. I tërë ky koncepti i dritës, mënyra se si e shkatërron brenda një minute. Është shumë e fuqishme”.
Imigrantët
Trump, duke iu referuar Bidenit: Është ai që vrau njerëzit me një kufi të keq duke lejuar vërshimin e qindra mijëra njerëzve që vdesin dhe që gjithashtu vrasin njerëzit tanë kur vijnë këtu.
Faktet: Fluksi masiv i imigrantëve që shkojnë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të jashtëligjshme përmes kufirit jugor ishte një çështje për të cilën Trumpi bëri mori pretendimesh të rreme dhe të gabuara. Për shembull, vazhdimisht pohon se shtetet e tjera po zbrazin burgjet dhe institucionet e shëndetit mendor për t’i dërguar ata në Shtetet e Bashkuara. Nuk ka prova për ta mbështetur këtë pretendim.
Trumpi ka argumentuar gjithashtu se fluksi i emigrantëve po shkakton rritje të kriminalitetit në Shtetet e Bashkuara, ndonëse statistikat tregojnë se kriminaliteti i dhunshëm është në rënie e sipër.
Kohët e fundit janë shënuar krime të rënda që pretendohet se janë kryer nga njerëz që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të jashtëligjshme. Por statistikat e Byrosë Federale të Hetimeve, FBI, nuk i klasifikojnë krimet në bazë të statusit të migracionit të autorëve të tyre dhe nuk ka asnjë provë të rritjes së numrit të krimeve që janë kryer nga emigrantët, qoftë përgjatë kufirit SHBA-Meksikë apo në qytetet që po përballen me fluksin më të madh të tyre, siç është New Yorku. Sipas gjetjeve të studimeve, njerëzit që jetojnë në Shtetet e Bashkuara pa dokumente ka më pak gjasa se amerikanët e lindur në Shtetet e Bashkuara të arrestohen për krime të dhunshme, drogë apo krime ndaj pronave.
Teksasi është i vetmi shtet që i regjistron krimet në bazë të statusit të emigracionit. Një studim i botuar në vitin 2020 nga Akademia Kombëtare e Shkencave gjeti një “shkallë dukshëm më të ulët të veprave penale” në mesin e njerëzve që po qëndronin jashtëligjshëm në Shtetet e Bashkuara krahasuar me emigrantët e ligjshëm ose ata që kanë lindur këtu.
Charlottesville
Biden, duke iu referuar Trumpit pas tubimit të përgjakshëm të nacionalistëve të bardhë në Charlottesvile të Virginias, në vitin 2017: Ky që thoshte se mendon që në të dyja anët ka njerëz të mirë.
Faktet: Trump i përdori këto fjalë për të përshkruar pjesëmarrësit e një tubimi të përgjakshëm, që ishte planifikuar nga nacionalistët e bardhë. Por siç kanë thënë përkrahësit e Trumpit, ai gjithashtu kishte thënë atë ditë se nuk po fliste për neo-nazistët dhe nacionalistët e bardhë që ishin të pranishëm.
“Në atë grup kishte edhe disa njerëz shumë të këqij”, deklaroi Trump gjatë konferencës për shtyp disa ditë pas tubimit, “por po ashtu kishte edhe njerëz që ishin njerëz shumë të mirë, në të dyja anët.”
Më pas ai tha se nuk po fliste për “neo-nazistët dhe nacionalistët e bardhë, ngaqë ata duhet dënuar plotësisht.” Por, sipas tij, mediat ishin të padrejta në trajtimin që u bënin personave që ishin aty për të protestuar ligjërisht dhe pa djallëzi ndaj heqjes së statujës së Gjeneralit të Konfederatës Robert E. Lee.
Tubimi i planifikuar nga nacionalistët e bardhë që shpërtheu në kaos, tronditi vendin: përleshje të dhunshme nëpër rrugë, brohoritje raciste dhe antisemite, bomba tymuese dhe një makinë që me shpejtësi u fut në turmën e një kundër-proteste, duke shkaktuar një të vdekur dhe dhjetëra të lënduar.
Ekonomia
Trump: Kishim ekonominë më të mirë në histori
Faktet: Kjo nuk është e saktë. Fillimisht, pandemia shkaktoi një tkurrje masive të ekonomisë gjatë presidencës së tij. Qeveria mori hua 3.1 trilionë dollarë në vitin 2020 për të stabilizuar ekonominë. Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë me më pak vende pune të krijuara se kur filloi mandatin.
Por edhe po u hoqën nga analiza pasojat e pandemisë, rritja mesatare ekonomike ishte 2.67 për qind gjatë tre vjetëve të parë të tij. Situatë e qëndrueshme, por nuk është as afër mesatares prej 4 për qind gjatë dy mandatave të Presidentit Bill Clinton nga viti 1993 deri në vitin 2001, sipas Byrosë për Analiza Ekonomike. Në fakt, rritja aktuale ekonomike është më e fuqishme nën Presidentin Biden sesa nën Presidentin Trump.
Shkalla e papunësisë gjatë presidencës së Trumpit shënoi rënie deri në 3.5 për qind para pandemisë. Por megjithatë, grupmosha 25-54 vjeç – që përbën shumicën e fuqisë punëtore në SHBA ishte më e lartë gjatë presidencës së Clinton, po ashtu ajo është më e lartë edhe gjatë mandatit të Biden, se sa gjatë presidencës së Trumpit.
Trump po ashtu ka dëshirë të flasë për shkallën e ulët të inflacionit gjatë qeverisjes së tij. Çmimi i karburantit kishte shënuar rënie deri ne 1.77 dollarë për galon. Por, natyrisht, rënia e çmimit ndodhi gjatë izolimit për shkak të pandemisë kur pak njerëz përdornin makinat. Çmimet e ulëta ishin pasojë e krizës globale shëndetësore, jo e politikave të Trumpit.
Zbritje të ngjashme pësuan edhe normat e huave 30-vjeçare, të cilat u ulën në 2.65 për qind gjatë pandemisë. Këto norma të ulëta ishin pasojë e përpjekjeve të Rezervave Shtetërore për të nxitur ekonominë e dobët dhe jo shenjë e fuqisë së saj, siç pretendon aktualisht ai.
Vdekjet e ushtarëve
Biden: E vërteta është se jam i vetmi president në këtë shekull – në këtë dekadë – që nuk i kanë vdekur ushtarët nëpër botë si (vdiqën) gjatë mandatit tënd.”
Faktet: Të paktën 16 ushtarë janë vrarë në luftime që kur Biden u bë president në janar të vitit 2021. Më 26 gusht të vitit 2021, 13 ushtarë u vranë në një sulm vetëvrasës me bombë në aeroportin ndërkombëtar “Hamid Karzai” në Kabul, gjatë tërheqjes së forcave amerikane nga Afganistani. Më 28 janar të këtij viti, një dron armiku vrau tre ushtarë amerikanë në një bazë ushtarake në shkretëtirë, në Jordani.
Trashëgimia Presidenciale
Biden: 159, ose 58, nuk e di numrin e saktë, historianë presidencialë janë takuar dhe kanë votuar se cili është presidenti më i keq në historinë amerikane… Ata thanë se ai (Trumpi) ishte më i keqi në historinë amerikane. Është fakt. Nuk është hamendje.
Faktet: Përafërsisht e saktë, por jo plotësisht. Anketa në fjalë, një projekt i profesorëve nga Universiteti i Houstonit dhe Universiteti i Karolinës Bregdetare, përfshiu 154 përgjigje të përdorshme nga 525 të anketuar që ishin ftuar të marrin pjesë në anketë.
Protestat për George Flloyd
Trumpi mbi protestat në Mineapolis pas vrasjes së George Flloydit: Po të mos e kisha dërguar Gardën Kombëtare, qyteti do të ishte shkatërruar.
Faktet: Trumpi nuk e dërgoi Gardën Kombëtare në Mineapolis gjatë trazirave pas vdekjes së George Floydit. Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, e dërgoi Gardën Kombëtare në këtë qytet.