Gjatë ditës së djeshme, dielli ka lëshuar flakërimin më të madh diellor në shtatë vjet, transmeton Anadolu.
Qendra e Parashikimit të Motit Hapësinor e Administratës Kombëtare Amerikane të Oqeanit dhe Atmosferës (NOAA) njoftoi se shpërthimi ishte flakërimi diellor i 17-ti më i madh i regjistruar ndonjëherë.
Qendra paralajmëroi se disa radio-transmetues dhe pajisje teknike të ngjashme mund të preken nga flakërimi i fuqishëm diellor.
Flakërimi diellor ndodhi rreth orës 13:00 me orën lindore (1700 GMT) dhe nga qendra e NOAA-s u vlerësua si flakërim i kategorisë X, respektivisht llojit më të fuqishëm.
Përveç kësaj, flakërimi u vlerësua në shkallën X8,7, që do të thotë se ishte në skajin më të fuqishëm të spektrit të kategorisë X, i cili varion nga 1 deri në 9.
Flakërimet diellore janë shpërthime energjike nga dielli dhe mund të shkaktojnë ndërprerje të radios nga minuta deri në orë.
Ato klasifikohen nga kategoria A deri në kategorinë X, me çdo kategori të shkallëzuar nga 1 deri në 9 brenda saj.