21 zjarre brenda një dite, situatë e rëndë në Studeniçan

2 Min. Leximi

Maqedonia e Veriut po përballet me një situatë të rënduar nga zjarret. Deri në orën 17:00 të së mërkurës, 12 gusht, në territorin e vendit ishin regjistruar 21 zjarre aktive, numri më i madh i evidentuar brenda një dite gjatë kësaj vere.
Një nga vatrat më problematike mbetet zjarri në territorin e Komunës së Studeniçanit, në zonën mbi Moranë, Vërtekicë dhe Rrafshi Gaber. Flakët kanë përfshirë pyje të përziera, ndërsa ekipet vazhduan ndërhyrjen edhe gjatë natës. Gjatë ditës në shuarjen e zjarrit u përfshinë edhe tre avionë „Air Tractor“, së bashku me zjarrfikësit dhe ekipet e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, njoftoi se në zonën e Moranës ishin angazhuar edhe zjarrfikës nga Shkupi, si dhe katër ekipe me automjete speciale. Temperaturat e larta dhe lagështia e ulët po krijojnë kushte që zjarret të përhapen me shpejtësi.

Vatra të tjera zjarri janë regjistruar në Makedonski Brod, Zelenikovë, Kërçovë, Pollog, Prilep, Novaci, Shtip dhe Manastir. Në rajonin e Pollogut, zjarre janë evidentuar pranë Kopancës, Xhepçishtit, Përshevcës dhe Çiflikut, ndërsa autoritetet kanë deklaruar se ekzistojnë dyshime se disa prej tyre mund të jenë shkaktuar qëllimisht.

Qendra për Menaxhim me Kriza ka raportuar vatra edhe në Ilinden, Zhelinë, Debërcë, Tetovë, Tearcë, Gostivar, Qendër Zhupë dhe pjesë të Shkupit. Përhapja e zjarreve në shumë zona njëkohësisht po e vështirëson angazhimin e zjarrfikësve, automjeteve, mekanizimit dhe mjeteve ajrore.

Maqedonia e Veriut ndodhet në gjendje krize 30-ditore që nga 1 gushti, për shkak të rrezikut të shtuar nga zjarret. Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes maksimal, pasi në kushtet aktuale edhe një vatër e vogël mund të përhapet shumë shpejt.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull