Më shumë se 570 qytete bregdetare në botë mund të përballen me rritjen e nivelit të detit dhe përmbytje më të shpeshta deri në vitin 2050, duke vënë në rrezik mbi 800 milionë njerëz. Kjo është një nga përfundimet e raportit “The Future We Don’t Want”, të publikuar nga rrjeti ndërkombëtar C40 Cities. Ekspertët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet nëse nuk merren masa urgjente. Rreziku nuk lidhet vetëm me ngrohjen globale, por edhe me fundosjen e tokës, nxjerrjen e tepërt të ujërave nëntokësore, erozionin dhe humbjen e sedimenteve.
Ndër qytetet më të rrezikuara është New Orleans në SHBA, ku pjesë të mëdha të qytetit ndodhen tashmë nën nivelin e detit. Pas uraganit Katrina në vitin 2005 janë investuar miliarda dollarë për mbrojtjen e qytetit, por toka vazhdon të ulet dhe ligatinat që shërbenin si barrierë natyrore po zhduken.
Edhe Miami përballet me një problem të veçantë. Shkëmbinjtë gëlqerorë shumë porozë lejojnë që uji i detit të depërtojë në tokë, duke anashkaluar barrierat dhe digat. Rritja e nivelit të detit ka sjellë tashmë përmbytje gjatë baticave të larta. Në Mexico City, problemi nuk vjen nga deti, por nga fundosja e tokës. Nxjerrja e madhe e ujërave nëntokësore po bën që toka të ulet me rreth 20 deri në 30 centimetra në vit në disa zona, duke dëmtuar rrugët dhe infrastrukturën e një qyteti me rreth 21 milionë banorë.
Aleksandria në Egjipt kërcënohet nga rritja e nivelit të detit dhe erozioni i bregdetit. Depërtimi i ujit të kripur në deltën e Nilit mund të shkaktojë dëme të mëdha në bujqësi dhe në trashëgiminë e pasur historike të qytetit.
Në Bangkok, shumë zona ndodhen rreth dy metra nën nivelin e detit. Qyteti, i ndërtuar në toka të buta në deltën e lumit Chao Phraya, përballet me rrezikun e përmbytjeve më të shpeshta, të ndikuara edhe nga reshjet më intensive. Jakarta është një tjetër rast shqetësues. Qyteti është fundosur më shumë se katër metra në disa dekada dhe rreth 40% e zonës urbane ndodhet tashmë nën nivelin e detit. Për shkak të këtij problemi, Indonezia ka nisur ndërtimin e një kryeqyteti të ri, Nusantara, në ishullin Borneo.
Në Manila, në Filipine, toka po ulet në disa zona me rreth dy centimetra në vit, ndërsa niveli i detit vazhdon të rritet. Kombinimi i këtyre dy faktorëve e bën kryeqytetin veçanërisht të rrezikuar nga përmbytjet. Edhe Ho Chi Minh City në Vietnam përballet me një rrezik të madh. Rreth 40-45% e zonës urbane ndodhet më pak se një metër mbi nivelin e detit. Përveç rritjes së nivelit të detit, nxjerrja e ujërave nëntokësore po shkakton edhe fundosjen e tokës.
Venezia në Itali mbetet një nga qytetet më të njohura për rrezikun nga përmbytjet. Qyteti ndodhet vetëm pak mbi nivelin e detit dhe përballet njëkohësisht me fundosjen e ngadaltë të tokës dhe rritjen e nivelit të detit. Sistemi i barrierave MOSE ka ulur rrezikun e përmbytjeve të mëdha, por ekspertët thonë se në të ardhmen do të nevojiten masa të tjera.
Në Amsterdam, mbrojtja nga uji është shumë më e avancuar, me diga, pompa dhe barriera që e kanë bërë Holandën një shembull botëror. Megjithatë, edhe ky qytet përballet me një rrezik në rritje. Sipas parashikimeve holandeze, deri në vitin 2100 niveli i detit mund të rritet me më shumë se një metër në disa zona bregdetare, duke kërkuar ndryshime të mëtejshme në sistemet e mbrojtjes.
Raporti thekson se këto qytete janë shembuj të asaj që mund të ndodhë në shumë zona të botës nëse ndryshimet klimatike dhe faktorët që përshpejtojnë fundosjen e tokës nuk trajtohen me masa konkrete dhe urgjente.

