Vuçiq për aktgjykimin në Hagë: “Hipokrizi e madhe” dhe “standarde të dyfishta” në raport me serbët

6 Min. Leximi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke komentuar aktgjykimet e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), deklaroi se ato tregojnë “hipokrizi të madhe” dhe “standarde të dyfishta” në raport me serbët.

“Mund të keni aktgjykime të formës së prerë ose jo të formës së prerë, është krejtësisht njësoj, serbët gjithmonë do të jenë kriminelë, ndërsa të gjithë të tjerët do të jenë çlirimtarë, heronj dhe trima dhe të gjithëve do t’u lejohet kjo, përveç serbëve”, tha Vuçiq në Presidencën e Serbisë.

Vuçiq akuzoi gjykatën në Hagë se me aktgjykimin e sotëm “nuk deshi ta cenonte kredibilitetin e UÇK-së”, duke pretenduar se në proces nuk janë përfshirë krime të shumta ndaj serbëve.

“Edhe ky është një mësim i madh për ne. Ashtu siç është një tregues dhe mësim i madh se çfarë standardesh të dyfishta dhe çfarë hipokrizie mbizotërojnë në botën përreth nesh”, tha Vuçiq.

Ai tha se opinioni publik ka mundur të shohë sulmet ndaj pjesëtarëve të EULEX-it në Prishtinë, si dhe incidentet që lidhen me autoritetet holandeze në Hagë, duke vlerësuar se ndaj tyre nuk është reaguar me të njëjtën masë si ndaj trazirave të lidhura me serbët.

“Serbët nuk shkaktuan kurrfarë trazirash, por me sa duket u mblodhën shumë prej tyre, ndaj kjo duhej të ndëshkohej me retorikën më të ashpër nga të gjitha anët”, tha Vuçiq.

Për Serbinë më e rëndësishmja është ruajtja e paqes

Vuçiq theksoi se ruajtja e paqes dhe stabilitetit është me rëndësi vendimtare për Serbinë.

“Besoj se fakti që emocionet janë kaq të forta edhe 27 dhe 30 vjet pas konflikteve në hapësirat e ish-Jugosllavisë tregon se janë bërë shumë padrejtësi, por edhe se ne të gjithë së bashku nuk kemi qenë mjaftueshëm të gatshëm të përballemi me gabimet tona dhe me krimet që janë kryer në emrin tonë”, tha ai.

Ai shtoi se zgjidhjen e ardhshme e sheh te bisedimet, mirëkuptimi më i madh dhe dialogu.

Duke folur për aktgjykimin, Vuçiq tha se, sipas interpretimit të tij, ai nuk i përfshin krimet kundër njerëzimit, përkatësisht se janë hedhur poshtë të gjashtë pikat e aktakuzës që kishin të bënin me këto krime.

“Të gjitha krimet që janë kryer ndaj serbëve pas 20 qershorit 1999 nuk janë përfshirë”, tha Vuçiq.

Sipas tij, trupi gjykues nuk ka vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të përhapur ose sistematik ndaj popullsisë civile.

Presidenti serb tha se aktakuza kishte dhjetë pika, gjashtë prej të cilave kishin të bënin me krime kundër njerëzimit, përkatësisht përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

“Për të gjashtë pikat nuk është vërtetuar fajësia”, tha Vuçiq.

Në të njëjtën kohë, ai tha se katër ish-krerëve të UÇK-së u është vërtetuar përgjegjësia penale individuale për krime lufte sipas katër pikave të aktakuzës, përkatësisht privim i paligjshëm nga liria ose ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.

Sipas tij, përgjegjësia është vërtetuar për privimin e paligjshëm nga liria të të paktën 385 personave, trajtimin mizor të të paktën 49 personave, torturimin e të paktën 303 personave dhe vrasjen e të paktën 96 personave.

“Për këtë është vërtetuar përgjegjësia penale individuale e katër të akuzuarve të përmendur, ekskluzivisht për krimet e lartpërmendura të luftës”, tha Vuçiq.

Vuçiq: Aktgjykimi nuk është përfundimtar

Vuçiq tha se populli serb nuk ka arsye as të gëzohet dhe as të pikëllohet për aktgjykimin e shkallës së parë, por duhet “të presë me durim dhe t’i kuptojë mirë mesazhet që kanë ardhur”.

Ai gjithashtu mundësinë e vazhdimit të procedurës para instancave më të larta gjyqësore.

“Ne mendojmë se këtu ekziston një dhomë e apelit që do të marrë vendimin përfundimtar. Jo. Këtu ekziston edhe një instancë mbi dhomën e apelit të kësaj gjykate të Kosovës apo gjykatës kosovare në Hagë. Kjo është Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, tha Vuçiq.

Vuçiq për presionet dhe zgjedhjet në Serbi

Duke iu përgjigjur një pyetjeje për deklaratën e nënkryetarit të Lëvizjes Evropiane në Serbi, i cili foli për qëndrimin ndaj Serbisë të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Vuçiq tha se e vlerëson dhe e respekton jashtëzakonisht shumë atë, pavarësisht deklaratave të saj të mëparshme apo të ardhshme.

Vuçiq theksoi se, siç tha ai, “von der Leyen e ka ndihmuar Serbinë në momente të vështira”.

“Duhet t’u them atyre që ushtrojnë presion se është e pabesueshme se sa shumë kanë mbetur në të kaluarën. Duhet t’i informoj, në Serbi në pushtet vihet me votat e qytetarëve”, tha Vuçiq, duke shtuar se qytetarët e Serbisë marrin vendimin në zgjedhje të lira.

Vuçiq për mundësinë që Serbia të presë negociatat Rusi-Ukrainë

Duke folur për mundësinë që Serbia të jetë nikoqire e negociatave midis Rusisë dhe Ukrainës, Vuçiq tha se nuk pret një zhvillim të tillë.

Sipas tij, nikoqire e negociatave mund të jetë një nga vendet arabe.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull