Treni tashmë ka nisur dhe nuk ndalet. Pas 23 vitesh pritje, zvarritjesh dhe premtimesh boshe, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat po bëhet ligj dhe procesi tashmë është futur në procedurë parlamentare.
Ky është një moment historik për shqiptarët dhe për konceptin e barazisë institucionale në shtet. Ligji ka marrë vlerësim pozitiv nga Komisioni i Venecias, është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ka kaluar të gjitha filtrat politikë e juridikë vendorë dhe ndërkombëtarë. Kjo tregon qartë se bëhet fjalë për një zgjidhje serioze, të qëndrueshme dhe juridikisht të mbrojtur.
Për vite me radhë shumë flisnin për të drejtat e shqiptarëve, por askush nuk pati guximin apo vullnetin politik ta çojë procesin deri në fund. Sot, kur procesi po konkretizohet realisht, disa grupacione po përpiqen të krijojnë mjegull përmes deklaratave të vonuara për media dhe reagimeve emocionale. Por qytetarët e kuptojnë dallimin mes atyre që vetëm flasin dhe atyre që marrin vendime konkrete.
Çdo tentativë për ta relativizuar këtë proces mbetet vetëm zhurmë politike dhe kërkim i vëmendjes mediatike. Faktet janë të qarta: procedura ka nisur, mbështetja juridike ekziston dhe vullneti politik është i palëkundur.
Sot nuk është koha e propagandës, por e rezultateve. Dhe rezultati më i madh është se një padrejtësi 23-vjeçare po merr fund.
VLEN: Pas 23 vitesh pritje, zvarritjesh dhe premtimesh boshe, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat po bëhet ligj

Ndani këtë artikull
