VLEN: Edhe një premtim i përmbushur, gjithsej 600 specializantë në shëndetësinë publike

4 Min. Leximi

Shkup, 31 korrik – VLEN njoftoi se ka nisur procesi për punësimin e grupit të dytë prej 300 specializantësh privatë në institucionet publike shëndetësore, duke theksuar se me këtë po realizohet një nga zotimet kryesore të programit të tij për punësimin e gjithsej 600 specializantëve. Në një kumtesë për opinionin, VLEN vlerëson se gjatë 24 muajve të qeverisjes janë ndërmarrë reforma në sektorin e shëndetësisë, me synim përmirësimin e kushteve për mjekët dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për pacientët. “Që kur morëm besimin për t’i udhëhequr institucionet, kemi pasur një qëllim para vetes – të përmirësojmë jetën e qytetarëve. Gjatë këtyre 24 muajve kemi arritur rezultate të dukshme në shumë fusha, ndërsa në shëndetësi nisëm ndryshime që prekën drejtpërdrejt mjekët, pacientët dhe familjet e tyre”, thuhet në kumtesën e VLEN-it.

VLEN rikujton se një nga premtimet kryesore ishte punësimi i 600 specializantëve privatë në sistemin publik shëndetësor. “Me vendimin e Qeverisë për punësimin e grupit të dytë prej 300 specializantësh, ky premtim po përmbushet. Grupi i parë prej 300 specializantësh tashmë është punësuar, ndërsa procesi për punësimin e grupit të dytë është në zhvillim dhe synohet të përfundojë deri në fund të këtij viti”, thuhet në reagim. Sipas VLEN-it, ky vendim u krijon mundësi mjekëve të rinj, të cilët kanë financuar vetë specializimet e tyre, të bëhen pjesë e sistemit publik shëndetësor dhe ta ndërtojnë karrierën në vend. “Kjo është një mundësi që 300 mjekë të rinj, të cilët e kanë nisur specializimin me shpenzimet e tyre, të bëhen pjesë e sistemit publik dhe ta ndërtojnë të ardhmen këtu, në vendin e tyre”, theksohet në kumtesë.

Nga atje thonë se punësimi i specialistëve do të ndihmojë në tejkalimin e mungesës së kuadrove në spitalet publike, veçanërisht në qytetet jashtë Shkupit. “Në të njëjtën kohë, spitalet që prej vitesh përballen me mungesë specialistësh do të përforcohen me kuadrin që u nevojitet. Përparësi do të kenë spitalet e përgjithshme dhe klinike jashtë Shkupit, si dhe specializimet ku mungesa e mjekëve është më e madhe”, thuhet në kumtesë.

Sipas VLEN-it, përfitues të drejtpërdrejtë të kësaj politike do të jenë qytetarët e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës dhe qyteteve të tjera, të cilët do të kenë mundësi të marrin shërbime shëndetësore më pranë vendbanimit të tyre. “Kjo është veçanërisht e rëndësishme për qytetarët e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës dhe qyteteve të tjera. Ata nuk duhet të humbin një ditë të tërë, të shpenzojnë për rrugë dhe të udhëtojnë drejt Shkupit për një kontroll që mund dhe duhet ta marrin pranë shtëpisë”, thuhet në kumtesë. VLEN nënvizon se, krahas punësimit të mjekëve, po vazhdojnë edhe investimet në infrastrukturën shëndetësore. “Nuk mjafton vetëm të ndërtojmë spitale dhe të blejmë pajisje. Spitalet kanë nevojë për mjekë. Prandaj, krahas investimit historik prej 74 milionë eurosh në Spitalin Klinik të Tetovës dhe hapjes së rrugës për ndërtimin e spitalit të ri në Kërçovë, po investojmë edhe te njerëzit që kujdesen për shëndetin dhe shpëtojnë jetë”, theksohet në kumtesë.

Në fund, koalicioni rithekson se punësimi i 600 specializantëve privatë është një prej zotimeve që po realizohet, duke shtuar se përforcimi i sistemit shëndetësor me kuadro të reja do të ndikojë në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe në rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull