Partia VLEN ka publikuar dokumente që, sipas saj, dëshmojnë përfshirjen e ish-funksionarëve të BDI-së në procesin e shitjes së aksioneve shtetërore në “Stopanska Banka” të Manastirit, sot “Alta Banka Maqedoni”. VLEN pretendon se vendimi është marrë në seancën e Qeverisë më 6 qershor 2023 dhe është nënshkruar nga ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi.
Sipas komunikatës, në atë seancë kanë marrë pjesë edhe Fatmir Besimi, Bujar Osmani dhe Kreshnik Bekteshi. Partia VLEN thekson se vendimi për dhënien e pëlqimit për shitjen e aksioneve shtetërore është publikuar në “Gazetën Zyrtare” nr. 123, më 13 qershor 2023.
“Para jush janë dy dokumente zyrtare shtetërore: procesverbali i seancës së 158-të të Qeverisë, të mbajtur më 6 qershor 2023, dhe vendimi i publikuar në ‘Gazetën Zyrtare’ nr. 123, të datës 13 qershor 2023.
Nën pikën 5 të rendit të ditës shqyrtohet informacioni për shitjen e aksioneve në pronësi të Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar dhe merret vendimi për dhënien e pëlqimit për shitjen e aksioneve shtetërore në ‘Stopanska Banka’ SHA Manastir.
Në ‘Gazetën Zyrtare’ nr. 123, nën vendimin nr. 41-3733/8, figuron personalisht nënshkrimi i Artan Grubit”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
Partia gjithashtu pretendon se ky vendim lidhet me transaksionet e mëvonshme të aksioneve përmes kompanisë “AS Senjak” dhe një kredie prej 5 milionë eurosh nga Alta Banka në Beograd. Sipas VLEN-it, aksionet shtetërore dhe ato private përfunduan në duart e biznesmenit serb Davor Macura.
Në fund, VLEN u ka bërë thirrje Prokurorisë Publike dhe Drejtorisë së Inteligjencës Financiare që ta zgjerojnë hetimin dhe të marrin në pyetje ish-funksionarët e BDI-së që kanë marrë pjesë në miratimin e këtyre vendimeve.
“Shndërrimi i Qeverisë në shërbim të bizneseve milionëshe të familjes së Ali Ahmetit dhe të manjatëve rajonalë duhet të ketë përgjegjësi penale!”, përfundon reagimi i partisë VLEN.

