Enti Shtetëror i Statistikave njoftoi se gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025 është regjistruar një rënie e numrit të martesave të lidhura, ndërsa paralelisht ka pasur një rritje të ndjeshme të divorceve, transmeton Portalb.mk.
Në periudhën korrik–shtator janë regjistruar 3.514 martesa të reja, që paraqet një ulje prej 2.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Në të njëjtën kohë, janë evidentuar 470 divorce – një rritje prej 27.7 për qind në raport me vitin e kaluar, duke e konfirmuar trendin në rritje të shpërbërjes së martesave.
Ndryshem, Enti ka publikuar edhe statistikat e vdekjeve dhe lindjeve në RMV.
“Në tremujorin e tretë të vitit 2025, numri i lindjeve të gjalla është 4 431 fëmijë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i tyre është zmadhuar për 3.7%”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave. Në kohën kur në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 4 431 lindje, janë regjistruar edhe 4 849 vdekje, edhe pse numri i vdekjeve ka shënuar rënie për 0.5 përqind.
“Shtimi natyrorë është negativ dhe është -418, që do të thotë, për kaq persona është më i vogël numri i lindjeve të gjalla nga numri i vdekjeve”, raportoi Enti, duke përkujtuar se shtimi natyror vitin e kaluar ishte -604 në këtë periudhë.
Në këtë periudhë ka pasur vetëm 17 lindje të vdekura, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin 21.

