“Uji në Shkup është i sigurt për pije”/ Institucionet: S’ka rrezik nga ‘Escherichia Coli’

3 Min. Leximi

“Ja kjo gotë është me ujë të thjeshtë nga çezma. Mund të them se e kemi ujin më të mirë!”
Duke pirë ujë nga çezma, kryetari i Shkupit Orce Gjorgjievski, e filloi konferencën për media, pas disa publikimeve në rrjetet sociale se është kontaminuar uji i sistemit të ujësjellësit të kryeqytetit.

Uji i Shkupit është i pastër për pije, thonë nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellës dhe Kanalizime” – Shkup.Në raportin e djeshëm të monitorimit të ujit nga Sektori i kontrollit sanitar u morën 42 mostra nga rrjeti i furnizimit me ujë të qytetit, 4 prej të cilave nga seksioni i puseve Nerezi – Lepenec, dhe ato treguan se uji është i sigurt për konsumim.

Kryetari i Shkupit Gjorgjievski tha se dezinformuesit do të ndiqen penalisht.

“Ky është një sulm i organizuar i përhapjes së histerisë tek qytetarët në Shkup, duke përhapur panik për poenë politik, por kjo do të ketë pasoja pasi që kjo mënyrë e përhapjes së panikut dhe histerisë. Fola me Ministrin e Brendshëm dhe do të ndërmerren masa. Atë që dua ta përsëris është që uji për pije nga ujësjellësi i Shkupit është i sigurt dhe unë e pijë sikurse familja ime”, u shpreh Orce Gjorgjievski, kryetar i Qytetit të Shkupit .

Nga Klinika Infektive thonë se nuk ka të konfirmuar lidhshmëri që pacientët e shtrirë aktualisht në repartin e sëmundjeve ngjitëse nga bakteria “Escherichia coli” të jenë shkaktuar nga pirja e ujit në kryeqytet. Drejtori Fadil Cana tha se ky numër është i zakonshëm për këtë periudhë të nxehtë të vitit.

“Atë që mund ta them unë si drejtor i Klinikës Infektive është që nuk kemi të dhëna të tilla që në klinikë ka pacientë me infeksione gastro-intestinale, po të kishte do të paraqiteshin arsyet. Deri më tani ka rritje normale të numrit sipas motit të nxehtë pritej rritje edhe më tepër, por kjo situatë është mirë për ne se kemi rast tani me infeksionin e etheve të Nilit-Perëndimor. Numri është rritur, por jo mbi normalen në krahasim me vitet e kaluara është në të njëjtin nivel”, u shpreh Fadil Cana, drejtor i Klinikës Infektive .

Edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë i mohon informacionet në publik se uji nga sistemi i furnizimit me ujë i Shkupit është i pasigurt për t’u pirë për shkak të pranisë së supozuar të bakterit Escherichia coli. Sipas tyre, mostrat testohen me analiza fiziko-kimike dhe mikrobiologjike në laboratorë të akredituar në përputhje me Rregulloren për kërkesat për sigurinë dhe cilësinë e ujit. AUV u bën thirrje qytetarëve të mos frikësohen sepse uji në ujësjellësin e kryeqytetit është i sigurt për t’u pirë.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull