Tmerr në Stamboll: Shemben tri kate të një ndërtese, dy fëmijë nxirren të gjallë nga rrënojat

2 Min. Leximi

Pesë persona, mes tyre dy fëmijë, janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat pas shembjes së tri kateve të poshtme të një ndërtese shtatëkatëshe në lagjen Maltepe, në pjesën aziatike të Stambollit, raportoi agjencia Anadolu.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm, rreth orës 05:40, në rrugën “Dogu”. Shkaqet e shembjes ende nuk dihen, ndërsa në vendngjarje ndërhynë menjëherë zjarrfikësit, policia, ekipet mjekësore dhe Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave, AFAD.

Ekipet fillimisht evakuuan banorët e kateve të sipërme, më pas nisën kërkimet nën rrënoja. Me ndihmën e qenve kërkues, u arrit të nxirreshin pesë persona, të cilët u dërguan në spitalet e afërta. Ndihmë mjekësore iu dha edhe një zjarrfikësi, të cilit iu përkeqësua gjendja gjatë ndërhyrjes.

Në katin përdhes ndodhej një punishte tekstili, e cila ishte bosh në momentin e shembjes.

Në operacion janë përfshirë 175 pjesëtarë të shërbimit zjarrfikës me 56 automjete, si dhe 25 pjesëtarë të AFAD-it me pesë automjete. Policia ka mbyllur rrugët përreth dhe ka siguruar zonën, ndërsa rreziku nga shembje të tjera po e vështirëson ndërhyrjen.

Guvernatori i Stambollit, Davut Gyl, i cili mbërriti në vendngjarje, tha se ndërtesa ishte ndërtuar në vitin 1987 dhe kishte një hapësirë afariste në përdhes dhe gjashtë kate banimi, me gjithsej 12 njësi banimi.

Sipas tij, shkaku i shembjes do të përcaktohet përmes hetimeve gjyqësore dhe administrative. Operacioni i shpëtimit vijon nën koordinimin e AFAD-it, ndërsa banorët e evakuuar do të strehohen në një hotel të siguruar nga kjo agjenci.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull