Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, gjatë ditës së sotme u pyet në lidhje me sistemimin e të punësuarve në ish Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, që udhëhiqej nga Artan Grubi.
Kasami tha se në atë ministri ka patur punësime fiktive dhe manipulime, persona që nuk kanë shkuar në punë por që kanë marr rroga.
“E dimë gjithashtu që qeveria e mori një vendim që gjithë këta të punësuar nga Ministria, më herët Sekretariati, të transferohen nëpër institucione. Një pjesë e tyre janë transferuar, një pjesë ende nuk janë transferuar, atë që e kemi pasur si qasje në Komunën e Tetovës, atë do ta kemi edhe në pushtetin qendror. Nuk lejojmë dhe nuk tolerojmë që dikush të marrë rroga dhe të mos shkojë në punë. Çdokush që do të jetë i sistemuar në një institucion, do të transferohet në atë institucion, do t’i krijohen kushte që të shkojë në punë, ata që nuk do të shkojnë në punë, sigurisht në bazë të ligjit, nëse nuk paraqiten në vendin e punës, do të duhet të shkojnë në shtëpi”, ka deklaruar Bilall Kasami.