Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, pret që menaxhmenti i Klinikës për sëmundje të mushkërive te fëmijët “Kozle” të sensibilizojë dhe të ndërmarrë hapa në lidhje me rastin e foshnjës së ndjerë 14 muajshe. Taravari thotë se me ekipin ligjor në ministri do të kenë shqyrtuar të gjitha mundësitë që i kanë, transmeton Portalb.mk.
“Do t’ia japim zyrtarisht Odës së mjekëve çdo gjë që duhet, është një komision i etikës që duhet të vendosë. Do të ketë rekomandimet tona, raporti është këtu. Nëse nuk e besojnë raportin, le ta bëjnë të vetin, megjithatë, se ka gabime mjekësore, ka”, tha Taravari në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës së tij sot në Klinikën e Onkologjisë.
Për pezullimin e përkohshme të dy mjekëve nga Klinika e fëmijëve, Taravari thotë se ky vendim është i mirë dhe shpreson që menaxhmentit të spitalit në Kozle t’i zgjohet ndërgjegjja.
Ai mendon se do të ishte mirë që të gjithë t’i jepnin një sinjal të caktuar qytetarëve që të fillojnë të besojnë në sistemin.
Drejtori i Klinikës Universitare për sëmundje të fëmijëve në Shkup, Rexhep Memedi, të premten, lidhur me rastin e vdekjes së foshnjës 14 muajshe, ka marrë vendim për largimin e përkohshëm të dy punëtorëve shëndetësorë – mjekëve specialistë, të cilët i nënshtrohen procedurës disiplinore, në pajtim me nenin 192 paragrafi 2 të Ligjit për kujdesin shëndetësor, deri në marrjen e vendimit të formës së prerë në procedurë disiplinore.
Pas vdekjes së foshnjës 14 muajshe, komisioni ka bërë mbikëqyrje eksperte në Klinikën për sëmundje të fëmijëve dhe në Klinikën për sëmundje pulmonare te fëmijët “Kozle”, gjatë së cilës janë konstatuar mangësi sistemike, teknike dhe profesionale në këtë rast.
Nga pikëpamja e vërejtjeve të ekspertit, sipas Taravarit, është konstatuar një shkelje në vlerësimin e nevojës për shtrimin në spital gjatë ekzaminimit të dytë të foshnjës në Klinikën për sëmundje të fëmijëve të kryer më 3 tetor të këtij viti. Në Kozle, nga ana tjetër, është konstatuar një vlerësim joadekuat dhe i parakohshëm i peshës së vështirësive në frymëmarrje dhe trajtim.
Raporti nga komisioni është dërguar në të dyja klinikat, ndërsa dje ministri Taravari tha se nuk është bërë asnjë ankesë nga institucionet.
Ai tha se pret që drejtorët e klinikave të marrin masat e duhura ndaj mjekëve që kanë bërë gabim.
Ai tha për vete se nuk është as gjyqtar e as prokuror që të kërkojë përgjegjësi nga personeli mjekësor dhe ua la drejtorëve.
Oda e mjekëve ka pranuar edhe raportin për inspektimin e kryer në klinika.
Komisioni për Çështje Etike dhe Juridike pranë Odës së Mjekëve dje ka mbajtur seancë ku ka shqyrtuar këtë raport dhe ka dhënë mendim. Ata bënë me dije se Oda e mjekëve nuk ka mundësi ligjore që në mënyrë të pavarur të përcaktojë përgjegjësinë individuale mes mjekëve dhe të propozojë masa vetëm në bazë të raportit të dorëzuar nga Ministria e Shëndetësisë për rastin e foshnjës së vdekur 14 muajshe në Klinikën e Fëmijëve në Shkup.
Nga ana tjetër familjarët e foshnjës 14 muajshe që humbi jetën kërkuan dorëheqjen e Ministrit Taravari dhe Drejtori të Klinikës për Fëmijë, Rexhep Memedi. Hedhja e përgjegjësisë vazhdon mes institucioneve shëndetësore lidhur me këtë rast tragjik.
Më 5 nëntor 2024, një vajzë 14 muajshe ka ndërruar jetë Klinikën për sëmundje të fëmijëve në Qendrën klinike “Nënë Tereza” në Shkup.
Raporti i Inspektoratit Shëndetësor dhe Sanitar ka konfirmuar se para se të përkeqësohej gjendja shëndetësore dhe të ndërronte jetë, foshnja 14 muajshe është dërguar disa herë për trajtim te mjeku amë dhe te klinika për Sëmundje të Fëmijëve, por vazhdimisht është lëshuar për mjekim shtëpiak.