Megjithatë, parkimi pritet të mbetet një nga sfidat kryesore për vizitorët edhe këtë dimër. Gjatë fundjavave, fluksi i lartë i automjeteve rëndon trafikun dhe e bën të vështirë gjetjen e një vendi të lirë
Urim HASIPI
Tetovë, 26 nëntor – Autoritetet e Kodrës së Diellit në Tetovë po bëjnë përgatitjet e fundit para fillimit të sezonit turistik. Së fundmi, nga Ski Qendra –Kodra e Diellit kanë njoftuar se është asfaltuar pjesa kryesore në Kodrën e Diellit para Hotel –Sllavia. Krahas kësaj, ditë më parë është bërë e ditur se kontrollet teknike, ndërhyrjet në pistat e skijimit dhe përmirësimi i infrastrukturës janë drejt përfundimit. Sipas drejtuesve të Kodrës së Diellit, për vizitorët këtë sezon parashihet edhe një pistë e re skijimi gjatë natës dhe një ashensor i ri për fëmijë. “Kemi bërë edhe incizimin e linjave nga Fakulteti i Makinerisë, si dhe intervenime në disa linja. Konkretisht, në ‘GE’ kemi bërë edhe ndërrimin e linjës me të re. Sa i përket kontrollit nga fakulteti, gjithçka është në rregull dhe presim të marrim lejen e punës” thotë drejtori i Kodrës së Diellit, Gani Aliji.
Për më të vegjlit, në ski-qendër pritet të instalohet një ashensor i ri, rreth 100 metra i gjatë, i cili aktualisht është në prodhim dhe pritet të arrijë në Kodrën e Diellit deri në fund të muajit. “Kemi pasur disa probleme me rrjetin e ujërave nën ulësen e gjashtë, por kemi bërë projektin dhe gjithçka është rregulluar. Gjithashtu, kemi bërë ndryshimin e linjës optike në Kodrën e Diellit, si dhe ndërrimin e hyrje-daljeve për skiatorët, të cilat ishin më të vjetra se dhjetë vjet. Kemi bërë përgatitjet edhe për ‘Land Lift’-in për fëmijë, prej 100 metrash. E presim gjatë këtij muaji, pasi është në prodhim dhe në fund të muajit arrin në ski-qendër”, njoftoi drejtori Aliji.
Megjithatë, parkimi pritet të mbetet një nga sfidat kryesore për vizitorët edhe këtë dimër. Gjatë fundjavave, fluksi i lartë i automjeteve rëndon trafikun dhe e bën të vështirë gjetjen e një vendi të lirë. Edhe pse qarkorja e re pritet të lehtësojë lëvizjen dhe të sjellë hapësira shtesë parkimi, ende nuk dihet me siguri nëse ajo do të jetë e gatshme për këtë sezon dimëror. Krahas kësaj, së fundmi, një lajm i mirë është se Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka dhënë dritë jeshile për miratimin e Planit Detal Urbanistik për Kodrën e Diellit. Këtë e kanë bërë të ditur nga Komuna e Tetovës, prej nga njoftuan se plani i fundit për Kodrën e Diellit është sjellë në vitin 1980. Në seancën e radhës të këshillit të Komunës së Tetovës, Planit Detal Urbanistik për Kodrën e Diellit do të jetë në rend dite. Nga Sektori I Urbanizmit kanë bërë të ditur se me këtë plan, përfundimisht vendoset një rregull ndërtimi si për vikend shtëpizat po ashtu edhe për objektet komerciale. Mbi 30 hektarë do jenë komplex hotelesh dhe mbi 30 hektarë janë vikend shtëpiza përfshi dhe ato ekzistuese, ndërsa mbi një hektar janë institucionet shtetërore dhe pastaj garazha në kate dhe pjesën e gjelbërimit.
Ndryshe, tashmë janë në shitje edhe biletat sezonale për skijim në Kodrën e Diellit. Çmimet e biletave sezonale janë me sa vijon, për grupmoshën nga 6 deri në 14 vjeç çmimi është 14.300 denarë, ndërsa për ata nga 15 deri në 24 vjeç kushton 17.600 denarë. Për personat nga 25 deri në 62 vjeç tarifa është 20.900 denarë, kurse për moshat mbi 63 vjeç çmimi zbret në 10.000 denarë. (koha.mk)

