“A të kallxoj tash çka është duke u bërë. Është duke u bërë korrupsioni në QKUK, nuk po të nihet zëri. Është duke u blerë paterica 130 euro që kushton 20 euro”.
Kështu i ka thënë nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, nënkryetarit të Vetëvendosje, Glauk Konjufca, pasi që ky i fundit e akuzoi se gjatë qeverisjes së PDK-së raportet ndërkombëtare kanë konstatuar se në Kosovë ka pasur korrupsion endemik.
“Kur ka qenë ky zotëria këtu Ministër, Komisioni Evropian ka thanë korrupsion endemik. Korrupsion endemik u përdor për Kosovën. E ky tash thotë Kosova është më keq”, theksoi Konjufca në emisionin Debat Plus që transmetohet në RTV Dukagjini, ku është duke u zhvilluar debati i nënkryetarëve: VV, PDK, LDK dhe AAK, 2 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.
Ismaili i tha se deputetët e VV-së kanë shkuar në Ministri, kanë marrë dokumente, i kanë dërguar në Prokurori, por nuk ka pasur asgjë në to të kundërligjshme, derisa theksoi se ka qenë pikërisht ai që e ka ndalur korrupsionin.
“Deputetët e tu, kanë hy në atë Ministrinë time, bashkë me zyrtarë të VV-së edhe i kanë kontrollu krejt dokumentet e mi. Kanë thirr gazetarë nëpër Kosovë me na tregu çka janë çështjet, të ia zbulojmë. I keni dërgu në Prokurori, kurrgjë s’keni mujt me bë”, tha Ismaili.
“A di pse? Sepse unë kam ndal korrupsion në Ministri të Shëndetësisë. E kam pre”, shtoi ai.
Nënkryetari i PDK-së i tha Konjufcës se në Qeverinë e VV-së janë blerë paterica me 130 euro, të cilat theksoi se në treg kushtojnë 20 euro dhe për këto nuk e ka thënë asnjë fjalë.
“A të kallxoj tash çka është duke u bërë. Është duke u bërë korrupsioni në QKUK, nuk po të nihet zëri. S’po mundesh me fol Glauk. Është duke u blerë paterica 130 euro që kushton 20 euro. Nuk t’u ka ni zani”, potencoi.

