Shasivari: VLEN-një me dyshen Kasami-Mexhiti po varros kultin e liderit absolut

6 Min. Leximi
Screenshot

Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari

Kur shkrova para rreth gjashtë muajsh për idenë e një partie politike me bashkëkryetarë, për shumëkënd kjo dukej më tepër si një eksperiment i pamundur sesa si një projekt real politik. Skeptikët paralajmëronin rivalitet të pashmangshëm, paralizë organizative dhe fragmentim të brendshëm të këtij koalicioni të pesë subjekteve politike.
Megjithatë, më 9 maj 2026 – në Ditën e Evropës – Kongresi i bashkimit të VLEN-një e shndërroi atë që dikur konsiderohej e pamundur në një nga riorganizimet më domethënëse në historinë moderne politike të shqiptarëve në Maqedoni.

 

 

Për herë të parë në 35 vitet e pluralizmit politik në vend, u themelua një parti politike që nuk mbështetet mbi kultin e një lideri të vetëm absolut, por mbi konceptin e ndarjes së pushtetit dhe udhëheqjes me dy bashkëkryetarë. Për dekada me radhë, politika shqiptare është ndërtuar sipas formulës tradicionale ballkanike: një parti, një lider, një qendër absolute vendimmarrjeje ndërkaq, VLEN-NJË e sfidon këtë formulë tradicionale.

Zgjedhja e Bilall Kasamit nga Tetova dhe Izet Mexhitit nga Shkupi si bashkëkryetarë nuk përfaqëson vetëm një zgjidhje teknike organizative. Ajo simbolizon institucionalizimin e një filozofie të re politike: ndarje përgjegjësie, ekuilibër rajonal dhe ndërtim të një force të qendrës së djathtë të frymëzuar nga kultura politike evropiane.

Vetë koncepti i udhëheqjes së dyfishtë nuk është i panjohur në historinë politike.
Aristoteli, në veprat e tij mbi sistemet e qeverisjes, vlerësonte mekanizmat që kufizonin përqendrimin e pushtetit dhe zvogëlonin rrezikun e tiranisë ku monarkia e dyfishtë spartane apo sistemi i dy konsujve në Republikën Romake konsideroheshin modele të ekuilibrit, kontrollit dhe llogaridhënies.

Në kontrast me modelin tradicional ballkanik të përqendruar rreth figurës së liderit absolut, VLEN-një po promovon një qasje institucionale ndaj organizimit politik shqiptar. Bashkëkryetaria shpërndan pushtetin, imponon konsultimin dhe kufizon vendimmarrjen e njëanshme. Në këtë kuptim, mosmarrëveshjet eventuale mes dy bashkëkryetarëve nuk duhet të shihen si dobësi, por si mekanizëm demokratik kontrolli dhe balancimi. Kjo e detyron konsensusin dhe krijon premisa për vendimmarrje më të matur, më transparente dhe më të qëndrueshme.

Edhe dimensioni politik i zgjedhjes së z. Mexhitit dhe z. Kasamit ka rëndësi strategjike. Ata simbolizojnë dy qendrat kryesore politike dhe demografike shqiptare në Maqedoni: Shkupin dhe Tetovën. Mexhiti simbolizon rritjen dhe fuqizimin e ndikimit politik dhe institucional të shqiptarëve në zonën e Shkupit si kryeqytet, ndërsa Kasami simbolizon suksesin e modelit të tij të qeverisjes lokale në zonën e Tetovës dhe më gjerë të Pollogut. Ky ekuilibër rajonal forcon legjitimitetin e brendshëm dhe shmang perceptimin e dominimit të një zone mbi tjetrën.

 

 

Një tjetër element i rëndësishëm është fakti se modeli VLEN-një synon vazhdimësi dhe integrim, e jo përçarje. Në vend të asimilimit të partive përbërëse nga njëra-tjetra, bashkëkryetaria shërben si mekanizëm integrues për strukturat dhe elektoratet ekzistuese. Kjo ul rezistencën e brendshme dhe krijon ndjenjë përfaqësimi për secilin segment politik që bëhet pjesë e organizatës së re politike.

Po ashtu, unifikimi e redukton fragmentimin politik brenda kampit shqiptar dhe e rrit fuqinë negociuese në institucionet shtetërore. Një subjekt më i konsoliduar ka mundësi të artikulojë më fortë dhe më qartë interesat politike shqiptare dhe të ketë peshë më të madhe në vendimmarrje.

Bashkimi sjell edhe efikasitet më të madh organizativ. Burimet njerëzore, strukturat politike dhe rrjetet elektorale, që dikur funksiononin të ndara, tashmë konsolidohen në një kapacitet të vetëm politik më konkurrues për zgjedhjet e ardhshme.

Në të njëjtën kohë, VLEN-një krijon hapësirë për një transformim brezash në politikën shqiptare. Kjo ndodh në një periudhë kur një pjesë e madhe e qytetarëve, sidomos të rinjtë shqiptarë, kërkojnë profesionalizëm në vend të populizmit, institucione në vend të kultit të individit dhe zhvillim në vend të konfliktit të përhershëm politik.
Edhe orientimi ideologjik i VLEN-një drejt qendrës së djathtë krijon mundësi për lidhje më të forta me familjen politike evropiane të këtij spektri ideologjik me demokraci liberale, shtet ligjor, vlera tradicionale, ekonomi tregu, institucione të forta, nisma private, rend publik, etj., prandaj nuk është rastësi që kongresi u mbajt pikërisht në Ditën e Evropës me himnin e BE-së.

Natyrisht, kritikët do të vazhdojnë të theksojnë rreziqet e një modeli të tillë: vendimmarrja më e ngadaltë, mosmarrëveshjet e brendshme apo mundësia për fraksionizëm. Këto janë shqetësime dhe kritika legjitime, sepse çdo model bashkëudhëheqjeje varet nga pjekuria politike, qartësia e kompetencave dhe besimi reciprok mes drejtuesve.
Megjithatë, praktika politike evropiane ka dëshmuar se modelet e udhëheqjes së dyfishtë mund të funksionojnë me sukses. Shembuj të tillë gjenden në: Gjermani, Suedi, Kanada, Zelandë e Re, Belgjikë dhe vende të tjera demokratike. Fundja, ajo që përcakton suksesin nuk është numri i kryetarëve, por qartësia e misionit politik dhe forca e brendshme institucionale e organizatës politike.

Pikërisht këtu qëndron edhe testi historik për VLEN-një.

Nëse z. Izet Mexhiti dhe z. Bilall Kasami arrijnë ta shndërrojnë bashkëpunimin politik në kulturë të qëndrueshme institucionale, atëherë kjo forcë politike me gjasë do të bëhet partia e parë moderne shqiptare e qendrës së djathtë në Maqedoni: një parti më demokratike dhe më e decentralizuar nga brenda, ideologjikisht më koherente dhe dominuese në skenën politike shqiptare.

(Autori është profesor universitar i së drejtës kushtetuese në UEJL)

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull