Kolonë izraelitë sot herët në mëngjes sulmuan fshatra palestinezë në Bregun Perëndimor të okupuar, dogjën dy xhami dhe shënuan grafitë në objekte, njoftuan përfaqësues palestinezë.
Banorët dolën nga shtëpitë e tyre që të kundërshtojnë kolonët, pas çka pati konflikt të armatosur, theksuan përfaqësuesit palestinezë.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara dhe të Administratës Palestineze, këtë vit në dhunën në lidhje me kolonët izraelitë janë vrarë dhjetëra palestinezë, ndërsa qindra të tjerë janë lënduar.
Radioja ushtarake izraelite, duke iu referuar të dhënave të sigurisë, njoftoi se numri i sulmeve të kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve është rritur për 63 për qind në gjashtë muajt e parë të vitit 2026 në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Në ndërkohë, dy palestinezë janë vrarë, ndërsa shtatë janë lënduar sot kur aeroplanë ushtarakë izraelitë sulmuan një automjet në jug të Deir al Ballah, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
Gjysmëhëna e Kuqe palestineze njoftoi se ekipet e saj i dërguan trupat e dy viktimave të paidentifikuara deri më tani dhe shtatë personave në spitalin “Martirët Al Aksa”, pas sulmit ajror izraelit ndaj automjetit.
Sipas burimeve palestineze, forcat izraelite vazhdojnë ta shkelin marrëveshjen për armëpushim, e cila hyri në fuqi më 11 tetor të vitit të kaluar. Që atëherë, numri i palestinezëve të vdekur ka arritur 1.202, ndërsa janë lënduar 3.893.


