Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, ka njoftuar se pas përmbylljes së procedurës tenderuese për ndërtimin e gjimnazit të Kumanovës “Sami Frashëri”, sot ka nënshkruar vendimin për zgjedhjen e kompanisë fituese të kësaj procedure, shkruan gazeta LAJM.
Ai ka bërë të ditur se gjatë muajit prill do të hidhet gurëthemeli në rrethin e kampusit shkollor në lagjen Bedinjë për objektin krejtësisht të ri për 1200 nxënës të gjimnazit të Kumanovës.
“Po ndaj sot një nga lajmet më të mirëpritura për Kumanovën – pas përmbylljes së procedurës tenderuese për ndërtimin e gjimnazit të Kumanovës “Sami Frashëri”, sot kisha kënaqësinë të nënshkruaj vendimin për zgjedhjen e kompanisë fituese të kësaj procedure. Gjatë muajit prill, pas nënshkrimit të kontratës, do të hidhet gurëthemeli në rrethin e kampusit shkollor në lagjen Bedinjë për objektin krejtësisht të ri për 1200 nxënës të gjimnazit të Kumanovës, ndërsa kompania fituese brenda 24 muajve duhet të dorëzojë çelësat e shkollës së re.
Potencoj që Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pas pranimit të dokumentacionit dhe lejes së ndërtimit nga Komuna e Kumanovës në muajin janar 2024, në afat rekord e ndoqi procedurën tenderuese, për të zgjidhë problemin 23 vjeçar të gjimnazit të Kumanovës”, ka shkruar Shaqiri.