Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, njoftoi se është hapur Programi i Trajnimit për Menaxhimin e Ciklit të Projekteve në kuadër të iniciativës IPABRIDGE, me qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian.
Sali shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Turqisë, Drejtorisë për Çështje të BE-së dhe partnerëve turq, duke vlerësuar bashkëpunimin dhe ndarjen e ekspertizës si një kontribut të rëndësishëm në avancimin e administratës.
“Ky trajnim do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve tona institucionale për përgatitjen dhe zbatimin më cilësor të projekteve evropiane”, theksoi Sali.
Ai shtoi se bashkëpunimi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë do të vazhdojë të thellohet edhe në të ardhmen, me fokus në zhvillimin e mëtejshëm të projekteve dhe rritjen e kapaciteteve institucionale për procesin e integrimit evropian.

