Sali me porosi: Do të shkarkohen ata që nuk respektojnë Ligjin për përfaqësim të drejtë

2 Min. Leximi

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali në emisionin “Click plus” në TV21 ka paralajmëruar masa më të ashpra për institucionet që nuk do të respektojnë Ligjin për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Kjo masë sipas tij nënkupton shkarkimin e menjëhershëm, pasi u dëshmua se gjobat nuk janë mekanizëm për të respektuar ligjin.

“Në metodologji do të jetë e qartë se si duhet të rrjedhë përzgjedhja e kandidatëve, nëse nuk respektohet ky vendim, a është gjoba financiare mekanizëm i duhur apo janë pasojat politike ndaj një udhëheqësi të institucionit, nëse nuk respekton një konkurs apo metodologji që Trupi koordinues i qeverisë e ka vendosur. Dhe do të sugjerojë shkarkimin apo largimin e një udhëheqësi të institucioni nëse nuk respekton pra Trupin koordinues apo Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, ka thënë Sali.

Ai shton se edhe sot e kësaj dite nëse një institucion nuk mund të udhëhiqet në mënyrë të duhur, pasojnë shkarkime.

“Kush ka ingerenca më të larta se qeveria për të shkarkuar dikë? Gjobat financiare janë dëshmuar se nuk janë mekanizma për të respektuar ligjin, sepse e dënoni me një gjobë drejtorin apo ministrin, por ai ndoshta me vetëdije e bën atë, tani pasojnë drejtpërdrejta gjoba më të rënda, shkarkime”, tha zv/kryeministri Sali.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull