Rriten çmimet e naftës pas raporteve për plane ushtarake të SHBA-së ndaj Iranit

2 Min. Leximi

Çmimet e naftës janë rritur në Azi pas raporteve se ushtria amerikane do ta informojë Donald Trumpin për plane të reja për një veprim të mundshëm kundër Iranit. Komanda Qendrore po përgatit një plan për sulme të shkurtra dhe të fuqishme mbi Iranin me qëllim për të thyer ngërçin në negociata, raportoi faqja “Axios”.
Nafta e papërpunuar “Brent” u rrit për gati 7%, në 126 dollarë për fuçi, që është niveli më i lartë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Çmimet e energjisë u hodhën këtë javë për shkak të ngërçit në negociata dhe mbylljes së vazhdueshme të Ngushticës së Hormuzit.

Duke cituar burime të paidentifikuara, “Axios” njoftoi se vala e propozuar e sulmeve do të përfshinte edhe objektiva infrastrukturorë, ndërsa një plan tjetër përqendrohet në marrjen e një pjese të Ngushticës së Hormuzit, me qëllim që të hapet për anijet tregtare, por kjo do të nënkuptonte edhe pjesëmarrjen e trupave në terren.

SHBA-ja deklaroi se do të vazhdojë me bllokadën e porteve iraniane për aq kohë sa Irani kërcënon anijet që duan të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Çmimet e naftës u rritën dje për 6% pas njoftimeve se Uashingtoni po përgatitet për një bllokadë detare të zgjatur të Iranit.

Donald Trump e vazhdoi armëpushimin për një kohë të pacaktuar, por e hodhi poshtë propozimin e fundit të paqes nga Irani, sipas të cilit për programin e tij bërthamor do të diskutohej vetëm pas përfundimit të luftës dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjes rreth Ngushticës së Hormuzit. Ai dje edhe një herë i bëri thirrje Iranit se mund të telefonojë nëse dëshiron të negociojë.

“Ata nuk dinë se si të bëjnë një marrëveshje jobërthamore. Më mirë le të kthjellen sa më shpejt”, tha Trump.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull