Në vitin 2017, shkalla e të varfërve në Republikën e Maqedonisë ishte 22,2 për qind ose rreth 460 mijë qytetarë, njoftoi sot Enti Shtetëror i Statistikës.
Baza e përllogaritjes së varfërisë, siç raportohet nga ESHS, janë të ardhurat, dhe pragu i varfërisë është përcaktuar në 60 për qind të të ardhurave ekuivalente mesatare.
E analizuar sipas llojit të familjeve, shkalla e varfërisë për familjet e përbëra nga dy të rritur me dy fëmijë në vitin 2017 ishte 20 për qind.
Sipas statusit më të shpeshtë të aktivitetit ekonomik, shkalla e të punësuarve të varfër është 9.0 për qind ndërsa shkalla e pensionistëve të varfër është 7.7 për qind.
Sipas ESHS-së, koeficienti Gini, një masë e pabarazisë në shpërndarjen e të ardhurave, është 32.5 për qind.
Shkalla e varfërisë është më e lartë krahasuar me një vit më parë kur ishte 21.9 për qind ose rreth 445 mijë qytetarë ishin të varfër.