Në një periudhë kur vendi ynë po synon përmbushjen e kushteve për anëtarësim në BE dhe gati se për çdo ditë i përmendin vlerat evropiane, sot diplomacia holandeze në vend e dëshmoi se realisht po ndodh e kundërta dhe se jemi larg eurointegrimit. Ambasadori holandez, Dirk Jan Kopp dërgoi sot një mesazh jashtëzakonisht të qartë se ka pasur një degradim në sundimin e ligjit në dy vitet e fundit, si dhe ndërhyrje të palejueshme partiake/politike në punën e Gjykatës Supreme.
Miqtë ndërkombëtarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht zyrat e tyre konsullore-diplomatike, luajnë rolin edhe të këshillimit dhe udhërrëfimit drejt integrimit në BE dhe në rast të ndonjë devijimi qeveritar, ata nuk hezitojnë nga paralajmërimi dhe rrezikshmëria që mund t’i kanoset vendit.
Përveç kësaj, ata përzgjedhin edhe adresën e duhur të dërgimit të mesazhit të tyre, e që në rastin konkret, ambasadori holandez e ka dërguar në adresën e duhur, që tregon se ku është halli dhe zanafilla e problemit.
Më pas, konkretizohet pikërisht degradimi në sundimin e ligjit në dy vitet e fundit e cila ka një koinçidencë me qeverisjen aktuale. Kjo çështje vë në dukje edhe rrezikimin e angazhimit për anëtarësim në BE nga një qeveri që në çdo rast të mundshëm nuk harrojnë pa përmendur BE-në.
Ambasadori holandez ka vënë në fokus edhe ndikimin e paligjshëm politik në Kyetaren e Gjykatës Supreme, znj. Besa Ademi dhe paralajmëroi se rezultati do të jetë një reagim i ashpër nga Holanda.
Një pasqyrë e tillë reflekton se nuk ekziston kujdesi dhe angazhimi real për integrimet evropiane. Madje duken se mund të rrezikojnë një bllokadë të re, këtë herë nga Holanda dhe krejtësisht të justifikuar, vetëm për të qëndruar në pushtet dhe për të mos krijuar një qeveri të ardhshme pa ta. Ndërsa nga ana tjetër zotohen me emrin “Fronti Evropian”.
Mesazhet e ambasadorit ishin aq serioze saqë kërkohet një rivendosje dhe angazhim i menjëhershëm nga të gjithë aktorët shoqërorë dhe politikë në përmirësimin e mbarëvajtjes së shtetit ligjor dhe të së drejtës. Nëse në të kaluarën kemi folur dhe kritikuar për një shtet dhe institucione të kapura gjatë regjimit, tani do të duhet të përpiqemi të gjejmë një fjalë të re për të përshkruar situatën aktuale.
Duket më se e qartë se kemi një rrugë të gjatë për të bërë si shoqëri dhe si shtet drejt integrimit në BE, pasiqë këto standarde fillimisht duhet qenë larg standardit ballkanas, e aq më larg nga standardet evropiane. Por, ecja e sigurtë dhe arritja në fund të rrugës duhet të bëhet vetëm me NDRYSHIM real, me politika konkrete që ofrojnë zgjidhje për standardin jetësor të qytetarëve, me rini të shëndoshë dhe me një lidership të suksesshëm që do i prijë proceset para.