Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka përsëritur kërkesën për dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, duke e kritikuar për mungesën e një qëndrimi publik pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në reagimin e saj, BDI-ja thotë se ka kaluar një javë nga shpallja e aktgjykimit, ndërsa Shasivari ende nuk e ka dhënë mesazhin për Kosovën dhe qytetarët e saj, të cilin, sipas partisë, e kishte paralajmëruar para vendimit.
Partia rikujton edhe deklaratën e mëhershme të ministrit, për të cilën pretendon se “barazoi viktimën me agresorin” dhe kërkoi respektimin e një vendimi që ende nuk ishte shpallur.
“Kjo heshtje nuk e fshin deklaratën e tij dhe as përgjegjësinë politike që rrjedh prej saj”, thuhet në reagimin e BDI-së. BDI-ja kërkon që Shasivari të japë llogari për qëndrimin e tij dhe përsërit thirrjen që ai të japë dorëheqje.

